E gjithë vëmendja mediatike është përqendruar tek ai. Dy televizionet më të mëdha në vend, Top-Channel me emisionin “Fiks Fare” dhe Tv Klan me emisionin “Opinion” kanë nxituar të bëjnë për vete deputetin më të ri të Kuvendit të Shqipërisë. Po flasim për Eduard Ndocajn, deputeti më i lakuar i momentit nga mediat dhe portalet shqiptare.
Por si do të jetë dita e parë për Ndocajn në Kuvend? Deputeti do të bëj nesër betimin përpara kolegëve të tij, e për këtë ditë të veçantë ai ka menduar një prezantim sa më “bombastik” për të lënë gjurmë në historinë e politikës shqiptare.
Ndocaj do të shkojë nesër në Parlament me makinën e përdorur në filmin legjendar “Il Padrino”. Ndoshta ju mendoni se kjo është një shaka e deputetit, por gjatë një prononcimi për “Shqiptarja” ai e konfirmon këtë.
Gjithashtu, Ndocaj ka thënë për emsionin “Opinion” se do të mbajë gjatë seancave plenare kapelen e famshme të “kaubojsit”, për të cilën është shprehur se e ka fituar gjatë një dyluftimi gjelash në Republikën Domenikane.
Gjithsesi, fakt është se nesër do të jetë një ditë e shënuar për Kuvendin e Shqipërisë dhe përgjegjësi të madhe në këtë ngjarje të rëndësishme ka edhe kryeministri Edi Rama me Partinë Socialiste, pasi fal kësaj partie Ndocaj do të jetë ligjvënësi i ri në këtë vend.