Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e shënuar në Kavajë, ku në ambientet e Komisariatit i dha fund jetës një 31-vjeçar.
Ilvi Meta u arrestua ditën e sotme i dyshuar për vjedhje, ndërsa në ambientet e komisariatit i ka dhënë fund jetës duke u varur me lidhëset e këpucëve.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:08. Drejt komisariatit pas ngjarjes së rëndë janë nisur Drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës Lenc Panganika dhe një grup ekspertësh të AMP.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë i cili ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Kavajë/Informacion paraprak
Informacion paraprak
Lidhur me ngjarjen e ndodhur sot në Komisariatin e Policisë Kavajë, ku ka humbur jetën një shtetas i arrestuar, dyshohet i vetëvarur në qeli, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ngritur një grup të posaçëm hetimor.
Shtetasi I.M., 31 vjeç, ishte arrestuar sot me vendim të Gjykatës së Rrethit Kavajë, e cila kishte vendosur masën e sigurisë "Arrest me burg", mbi dyshimet si autor i disa vjedhjeve.
Menjëherë pas marrjes dijeni të ngjarjes, AMP ka nisur hetimet për sqarimin e rrethanave, mekanizmit të ngjarjes, si edhe nxjerrjen e përgjegjësive.
Në fund të këtyre hetimeve, AMP do të ketë një komunikim më të detajuar.