Hapësire reklamuese

Aktualitet

Detaje nga atentati në Astir, Erigers Mihasi ishte në përgjim nga Prokuroria, dyshohej i përfshirë në vrasjen e ish-policit në Laç vetëm pak ditë më parë

Shkruar nga Newsbomb
Detaje nga  atentati në Astir, Erigers Mihasi ishte në përgjim

Detaje të reja janë zbuluar lidhur me atentatin me dy viktima që ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e Astirit në Tiranë.

Persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash drejt një makine luksoze “Audi”, ku për pasojë mbetën të vdekur në vend Erigers Mihasi dhe Armando Dumani, persona me precedentë të mëparshëm penalë.

Burime për media bëjnë me dije se Erigers Mihasi ishte në “shënjestër”nga Prokuroria dhe po përgjohej, pasi dyshohej si i përfshirë në vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi, i cili u vra vetëm pak ditë më parë në Laç, teksa po shkonte të hapte biznesin e tij. Kishte dyshime, por nuk kishte ende asnjë akuzë zyrtare.

Kujtojmë që pas ngjarjes policia gjeti në Thumanë një makinë të djegur tip “Toyota” me targa AA 532 ON, të cilat rezultojnë të vjedhura në Tiranë. Në këtë mjet policia ka gjetur edhe 2 kallashnikovë, me të cilët autorët qëlluan në drejtim të viktimave.

Si duket viktimat nuk ndiheshin të kërcënuar, pasi gjatë kontrollit në makinë policia nuk ka gjetur armë.

Kush është Erigers Mihasi?

Erigers Mihasi ishte baba i tre fëmijeve, 2 djemve dhe një vajze.Ai nuk është një emër i panjohur për policinë, sepse ai u akuzua për grabitjen e shtëpisë së Elton Çiços në vitin 2015. Ky i fundit u vra një vit më vonë në Tiranë. Ai dyshohet edhe si personi kryesor që ka qëlluar me armë zjarri ndaj kushërinjve Mumajesi në Tiranë. Gjithashtu ai dyshohet se ka marrë pjesë në një ngjarje tjetër kriminale në vitin 2017 në Laç, ku ka mbetur i plagosur Rudolf Toma, punonjës në bashkinë e Kurbinit.

Në qershor të vitit të kaluar Erigers Mihasi u shpall në kërkim nga policia në lidhje me arsenalin e armëve të gjetura në Yrshek në banesën e Gëzim Harokut. Sipas grupit hetimor armët ishin përdorur në një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në kryeqytet, në Durrës, Sarandë dhe në Shkodër.

Ndërsa Dumani, 26-vjeç është përfshirë në grabitjen e një banke të nivelit të dytë në vitin 2021 në Vlorë, nën kërcënimin e armës.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll