Afrimi i verës dhe koha e mirë në Shqipëri ka bërë që këtë fundjavë shqiptarët e Kosovës të nisen drejt bregdetit dhe qyteteve turistike. Dogana e Morinës ka parë sot një fluks të lartë mjetesh.
Policisë Kufitare i është dashur të punojë me procedurë të përshpejtuar që prej orëve të para të ditës, për të shmangur radhët dhe qëndrimet e panevojshme në kufi.
Shtatë sportele janë në funksion të plotë, ndërsa heqja e masave kufizuese të pandemisë që prej 1 majit jo vetëm që ka shmangur vonesat në kontrollet kufitare, por edhe ka rritur fluksin e qytetarëve që kalojnë në të dy anët e kufirit.
Sipas Policisë Kufitare, në orët e para të kësaj të shtune kanë hyrë në Shqipëri më shumë se 3260 automjete me rreth 6100 qytetarë. Bregdeti mbetet më i preferuari, por gjithashtu edhe qytetet e tjera turistike.