Kompania shtetërore për energjinë atomike e Rusisë, Rosaton, tha se rritja e radioaktivitetit mbi Evropën, më herët këtë vjeshtë, ka mund të jetë pasojë e satelitit të përplasur.
Në një konferencë për gazetarë sot në Moskë, shkencëtari atomik, Rafael Arutynyan, tha se hetimi nga një komision, i udhëhequr nga Rosatomi, nuk ka gjetur rrjedhje të radioaktivitetit në tokë.
Por, dyshimet për rrjedhje ishin të fokusuara në vendin Majak, afër qytetit Çelabinsk, pasi institucionet evropiane e kanë ngritur alarmin për mjegull radioaktive të ndotjes, që lëvizte mbi kontinent në fund të muajit shtator dhe në fillim të tetorit, shkruan Radio Europa e Lirë
Instituti për siguri atomike në Francë, IRSN, ka njoftuar më 9 nëntor, se elementi ruten-106 (simboli kimik Ru), me gjasë kishte ardhur nga kapaciteti ku bëhet trajtimi i karburantit atomik ose nga ndonjë qendër radioaktive e mjekësisë, në pjesë të Rusisë ose në jug të Kazakistanit.
Ky institut francez tha se ndotja nuk paraqet rrezik për shëndet dhe për ambient, por mungesa e tërheqjes së vërejtjes nga Moska ka krijuar shqetësime në Rusi dhe jashtë saj, se qeveria ruse mund ta fshehë informacionin për aksidentet radioaktive.