Hapësire reklamuese

Aktualitet

Dëshmia e Dumanit zbardh "kontratën" 1 miliardë lekë për vrasjen e Endrit Dokles

Shkruar nga Newsbomb
Dëshmia e Dumanit zbardh "kontratën" 1 miliardë
Ervis Martinaj, biznesmeni i basteve rezulton i zhdukur prej më shumë se një viti. Gjurmët e tij të fundit rezultojnë më datë 9 Gusht 2022 dhe që atëherë, autoritetet shqiptare nuk kanë asnjë informacion (të paktën siç kanë deklaruar) se çfarë ka ndodhur me Ervis Martinaj. Dëshmia e të penduarit të SPAK, Nuredin Dumani hedh dritë mbi planin dhe pagesën që ky i fundit kishte dakordësuar me biznesmenin e basteve për të vrarë Endrit Doklen. "Pentito" u ka treguar prokurorëve dhe hetuesve se Martinaj i kishte lënë "dorë të lirë" për të kërkuar sa para të donte për vrasjen e ish-anëtarit të Bandës së Durrësit, ndaj Nuredin Dumani ka kërkuar fillimisht 1 milionë euro, apo 1 miliardë lekë. “Ora News” ka mësuar se njeriu që në atë kohë kontrollonte lojërat e fatit, nuk e ka pranuar këtë ofertë. Sipas Dumanit, ajo i është dukur Martinajt relativisht shumë e madhe dhe pas diskutimeve të bëra, si Martinaj dhe Dumani janë ulur në kuotën e 500 mijë eurove për të vrarë Indrit Doklen. Në kontratën e vdekjes të realizuar mes dy njerëzve të botës së krimit, Martinaj merrte përsipër të paguante një kapar 100 mijë euro dhe jo 300 mijë euro që kërkoi Dumani paradhënie. Kapari prej 100 mijë euro është marrë nga Rrahim Dumani dhe më pas është dërguar në Kosovë tek Nuredin Dumani. Vlerë monetare kjo që siç shprehej Dumani, duhet të shërbente për të ngrohur çunat, të cilët do aktivizoheshin për të survejuar dhe vrarë Doklen. Njëherësh Martinaj, merrte përsipër të mblidhte informacion për lëvizjet e Dokles dhe të informonte Dumanin. Kjo marrëveshje parashikonte që Martinaj ta ndihmonte Dumanin me informacione mbi lëvizjet e Policisë së Shtetit, RENEA dhe strukturat e hetimit, me qëllim që Dumani, në atë kohë në kërkim të mos arrestohej. Madje në një rast Dumani tregon se Visi i kishte nisur në “SKY” një dokument të SHISH me “screenshot”, që tregonte për vendndodhjen e tij dhe organizimin që po kryhej për arrestimin e tij nga Policia. “…ai informacionet i merrte nga institucione të ndryshme si RENEA, Operacionale, SHISH etj. Informacioni i fundit që më përcolli sipas tij ishte informacion i SHISH dhe bënte fjalë që ishin shumë afër arrestimit tim…”, ka deklaruar Nuredin Dumani nw dwshminw e tij nw SPAK. Një tjetër provë që provon implikimin e Ervis Martinaj, Elvin Merlikaj dhe personave të tjerë në sigurimin e kushteve për të vrarë, Indrit Doklen, është dhe një mjet fluturues dron. Ky dron është sekuestruar në ambientet e kompleksit “Arbëria”, ku pas ekspertimit kompjuterik ka rezultuar se me këtë dron është filmuar rrethrrotullimi i TEG-ut dhe zona përrreth, kompleksit ku është vendosur me banim familja e Indrit Dokles. Ky informacion në fakt mbështet dhe në pohimin e Henrik Hoxhaj për mbikëqyrjen e Indrit Dokles tek kompleksi “Rolling Hills” në afërsi të TEG-t. Droni, është përdorur për filmime në zonën e segmentit rrugor mes Saukut dhe TEG-ut, çka ka ngritur dyshime nga prokurorët e SPAK, se mbikëqyrja e Dokles nuk është bërë vetëm me njerëz në teren por edhe përmes ajrit, duke përdorur mjetin fluturues. Njëherësh përmes këtij droni, SPAK ka zbuluar pamjet e makinës tip “Hammer” me targë AA 708MK, në vend-parkimin përpara hotel “Arbëria Palace”. Pikërisht me këtë makinë në 18 janar 2021 Elvin Mërlika, Fredi Xhixha, Aleks Xhixha dhe një person tjetër kanë udhëtuar drejt Kosovës, ku realizuan takimin e parë për të takuar Dumanin, me qëllim lidhjen e kontratës për vrasjen e Dokles. Teksa kishte takuar me këta persona dhe ishte lidhur në bisedim direkt me Ervis Martinaj, i penduari Dumani tregon se pas ca kohësh, ka kontaktuar sërish me Elvin Mërlikaj, të cilit i ka thënë nëse ishin të interesuar akoma për goditjen e Dokles. “…me Elin komunikova në “Sky Chat”. Ata më thamë që sigurisht që ishin të interesuar. Unë ju thashë se isha gati dhe kam njeriun që ma nxjerr në pritë Indrit Doklen. Në të vërtetë unë nuk kisha bërë asgjë por doja thjesht të merrja lekët. Ai më tha: “…Vazhdo jepi drejtim…". Unë i thashë: ”…që t’i jap drejtim duhen ngrohur pak çunat dhe nuk kisha lekë…”.

Dëshmia e plotë e Nuredin Dumanit për këtë rast:

Pastaj filluam të bëjmë pazar, ku unë fillimisht i kërkova shumën prej 1.000.000 Euro. Ervisi, nuk pranoi për këtë shumë dhe më tha se ishin shumë. Negociuam pazarin dhe përfundimisht ramë dakord që Ervisi të më jepte shumën 500.000 Euro që unë të kryeja vrasjen. Pasi ramë dakord për shumën unë i kërkova paradhënie një shumë prej 300.000 Euro. Visit, iu duk shumë dhe pas negociatave përfundimisht ramë dakort që të me jepte paradhënie shumën prej 100.000 Euro. Shumën tjetër do ta merrja pasi të mbaronte puna. Pas disa ditësh nga kjo bisedë Elvin Mërlika (Eli), më ka shkruar në telefon dhe më tha se paratë ja dha Fredi Xhixhës. Gjithashtu Eli më tha se i ka dhënë Fredit edhe telefonin e tij me qëllim që të bisedonte me mua. Më pas unë komunikova me një telefon “Sky” që e kisha lënë në shtëpi për të kontaktuar me familjen dhe këta lajmëruan djalin e xhaxhait tim që quhet Rrahim Dumani. Unë i kërkova në “Sky” njerëzve të shtëpisë që të shkonin dhe të takonin Rrahimin, pasi doja të flisja me të. Pas pak kohë Rrahimi ka vajtur tek shtëpia ime dhe u lidha me të në telefonin “Sky”. Unë i kërkova që të shkonte deri në Vorë dhe të merrte një porosi timen. Ai pranoi por më tha se vetëm të mos ishte diçka e kundërligjshme. Unë i thashë që janë ca lek pa i thënë për shumën. Rrahimi ka dalë në Vorë tek një karburant ku aty ka takuar Fredin, i cili i ka dhënë shumën e parave. Nuk kanë biseduar fare me njëri-tjetrin por thjesht Fredi i ka dhënë paratë Rrahimit. Dua të shtoj së fillimisht ka vajtur Rrahimi me një automjet “Audi” në pronësi të familjes së tij. Në momentin që Rrahimi është tek karburanti ai më dërgoi një foto dhe unë kam komunikur direkt me Fredin, të cilit i dhashë të dhënat se ku ishte Rrahimi me “Audin”. Edhe Rrahimi edhe Fredi më konfirmuan se Rrahimi i mori paratë. Pasi ka marrë paratë Rrahimi ka vajtur në Durrës. Pas disa ditësh, me kërkesën time Rrahimi ka ardhur me autobus në Kosovë dhe më ka takuar mua tek shtëpia ku rija unë në atë kohë në Gjilan. Ka ndenjur një natë në shtëpinë time Rrahimi më dha paratë të cilat unë nuk i hapa në prezencë të tij. Të nesërmen Rrahimi është larguar. Paratë që më dërgoi Ervisi ishin të gjitha prerje 50-she Euro. Pas kësaj Ervisi më shkruante herë pas here në telefon duke me pyetur se si ishte puna, se Dokle po levizte nëpër Tiranë. Unë gjithmonë i gjeja ndonjë justifikim. Ervisi, kishte informacion për lëvizjet e Indritit dhe herë pas here me informorte. Foto nuk me ka dërguar. Unë në të vërtetë nuk kam marrë asnjë veprim për të vrarë Indrit Doklen. Ervisi nuk më ka kërkuar që ti kthej lekët mbrapsht. Dua të tregoj një rast kur Ervisit i kam kërkuar ndihmë që të më kalonte për në Kosovë gruan dhe kalamanjtë në doganë pa i regjistruar në sistem. Kjo gjë ka ndodhur me të vertetë dhe bëhet fjalë për dy raste, një në muajin Shkurt të vitit 2021, kurse hera e dytë në fund të vitit 2021. Se si ka arritur që të mos regjistrohen gruaja dhe kalamajtë nuk e di. Gjithashtu, Ervisi herë pas here më njoftonte për përpjekjet që bëheshin për të më arrestuar mua. Ai informacionet i merrte nga institucione të ndryshme si RENEA, Operacionale, SHISH etj. Informacioni i fundit që më përcolli sipas tij ishte informacion i SHISH dhe bënte fjalë që ishin shumë afër arrestimit tim. Ai i bënte foto informacionit që i kishin dërguar dhe ma dërgonte mua në “Sky Chat”. Dua të shtoj se kushuriri im që erdhi në Kosovë për të më dhënë 100.000 Euroshin ka fjetur një natë para tek kompleksi i Ervis Martinajt, që ndodhet në autostradën Milot-Fushë Krujë". // Marrë nga Ora News

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese