Deputeti kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum është shprehur dje se demokratët duhet të bëjnë një zgjedhje të mençur, pasi nëse kthehen te e djeshmja, atëherë nuk do të kenë më mbështetjen e Gjermanisë.
Ish-kryeministri Sali Berisha është pyetur sot nga gazetarët për këtë deklaratë. Ai ka thënë se komenti i tij ishte veçse një keqardhje që një parti simotër bënte deklaratë të tillë.
“Komenti im është keqardhje që një deputet i Bundestagut, i CDU-së, i lejon vetes dhe mendon se mund të ndërhyjë në një proces te lirë, te një parti simotër. Aq më tepër kur e bën bazuar në një vendim të faktuar universalisht se është marrë nga lobimi i Xhorxh Soros dhe Edi Ramës.
Ftoj zotin Braun dhe të ndërmarrë një hetim në arkivat e shtetit të tij, për të faktuar atë shpifje të mafias së Xhorxh Soros unë do ta vlerësoja një gjë të tillë”, u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat nga selia blu.