Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit të saj Alban Zeneli i ka kërkuar organit të akuzës që të bëjë hetime të thella dhe të plota për çështjen e kokainës, laboratori i së cilës u zbulua ditë më parë në fshatin Xibrakë të Elbasanit. Zeneli ka komentuar rreth Portit të Durrësit si pikë hyrëse për pajisjet dhe lëndën narkotike.
Deputeti Zeneli ka pyetur në deklaratën e tij se si policët nuk kanë patur dijeni, kur ata janë vigjilentë për shkeljet e qytetarëve të thjeshtë. ‘’Apo të gjithë përgjegjësit mbyllën sytë dhe veshët, sepse kjo ishte fabrika e miqve të Partisë? Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës të bëjë transparencë. Lehtësia e ngritjes së fabrikës dhe mbështetja që kanë gjetur anëtarët e grupit kriminal është po aq kriminale sa droga që ata prodhonin dhe trafikonin”, ka hedhur dyshime deputeti demokrat.
Tashmë sipas tij është koha e Prokurorisë që të vazhdojë hetimet e plota në lidhje me çështjen. “Partia Demokratike nxit Prokurorinë të bëjë hetime të thella e të plota, për të nxjerrë në dritë gjithë mekanizmin e madh të kësaj fabrike kokaine, e të shkojë deri tek kumbarët e vërtetë, pavarësisht lidhjeve të forta që mund të kenë ata me qeverinë dhe Edi Ramën”, ka përfunduar Zeneli.
Nëpërmjet aksionit të policisë ‘’Xibraka’’ u zbulua më 14 janar një laborator I përpunimit të kokainës, me rreth 121 kilogramë. Policia arrestoi 11 persona, ndër të cilët edhe nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha. Ermal Hoxha, Ilir Hyseni, dy kolumbianët Cezar Avila dhe Ëalther Moreno, vëllezërit Dalipi si dhe Saimir Batku, Kastriot Imeri dhe Gentjan Gjonaj kanë marrë masën e sigurisë ‘’Arrest me burg’’, kurse u liruan për mungesë provash Fatmir Hoxha dhe Egest Dankësi.