
Orjana Gremi, nëna 33-vjeçare e cila një vit më parë hodhi foshnjën e saj të porsalindur në lumin Kir është dënuar me 22 vite burgim nga Gjykata e Shkodrës.
Në seancën e zhvilluar dje, Gjykata e Shkodrës vendosi që të deklarojë fajtore Orjana Gremin dhe ta dënojë me 22 vite burgim nën akuzën e “vrasjes së miturit”.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 7 janar të vitit 2023 ku Orjana Gremi hodhi në lumin Kir foshnjën e saj që e lindi në datën 30 dhjetor 2022. Në deklaratat e saj të para përpara togave të zeza Orjana Gremi ka thënë: “Fëmijën e hodha në lumë, nuk kisha mundësi ta mbaja”.
Gruaja kishte paralajmëruar mjekët dhe të afërmit se do e braktiste fëmijën pasi nuk kishte ku ta mbante. Edhe pse kolegët e punës e ndihmuan dhe kërkuan që ajo të mbante fëmijën, më 4 janar ajo doli nga spitali i Shkodrës dhe mbrëmjen e 6 janarit ndërmori aktin ekstrem të braktisjes së foshnjes.
Pasi kreu krimin ajo ka rrëfyer ngjarjen te murgeshat, të cilat njoftuan policinë. Mjekët e spitalit ku ajo lindi deklaruan se nuk kishte probleme të shëndetit mendor dhe se ishte trajtuar me psikolog. Orjana Gremi, ishte e pamartuar dhe jetonte vetëm me dajën në fshatin Myselim në Shkodër.