Shoqata e Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër sulmin ndaj kameramanit dhe gazetares së Televizionit Publik – RTK 2, që raporton në gjuhën serbe, gjatë protestave të së shtunës në Prishtinë.
“Dhuna e shfrenuar grupore ndaj gazetareve është akt i shëmtuar, qyqar dhe skandaloz, i cili nuk përkon me një shoqëri të lirë dhe demokratike. Sulmet ndaj gazetarëve, të çfarëdo lloj përkatësie etnike qofshin ata, janë të papranueshme”, thuhet në reagim.
Ndaj këtij sulmi ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, si një prej organizatorëve kryesorë të protestës. “Çfarëdo sulmi që bëhet ndaj gazetarëve, përveç sulm ndaj integritetit të individit, është sulm ndaj fjalës së lirë, e së këndejmi i papranueshëm dhe i dënueshëm. Mirëpo, sulmi ndaj gazetarëve në baza etnike merr dimension edhe më të rëndë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Edhe bordi drejtues i RTK-se ka reaguar kundër këtij sulmi duke e cilësuar atë të papranueshëm. “RTK do të mbetet gjithmonë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etnie, feje apo grupi tjetër shoqëror”, thuhet në reagimin e RTK-së. Gazetarët e sulmuar thuhet se janë Aleksandra Jovanoviç dhe kameramani Bojan Koshanin.