
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me vendimin e sotëm të Gjykatës së Posaçme, e cila dënoi me 2 vite burg për akuzën e shitblerjes së votave gjatë zgjedhjeve të 14 Majit, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Berisha thotë se Beleri u arrestua mbi bazën e një kurthi, teksa dënon vendimin e gjykatëses, Irena Gjoka. Gjyqtarja ditët e fundit është sulmuar, por pretendimet se ajo kishte masë deportimi apo penalizim në Greqi nuk rezultojnë të vërteta. Kjo u konfirmua në mënyrë manuale, pra me hapjen e regjistrave manualë në Policisë së Greke në Kakavijë.
Lexo edhe: Ministria e Jashtme e Greqisë për dënimin e Belerit: Presim gjykim të drejtë në Apel
Ish-kryeministri ndër të tjera hedh akuza duke thënë se Beleri është dënuar për interesat e vëllait të Ramës, Olsi Rama, që sipas Berishës ka interesa në brigjet e Himarës.
Lexo edhe: Gjykata lë në qeli Fredi Belerin, dënohet me 2 vite burg kryebashkiaku i Himarës
Reagimi i plotë i Berishës:
Miqtë e mi!
Çështja Bejleri nuk është një çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë, por para së gjithash është një çështje e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve.
Është një çështje para së gjithash e të drejtave dhe lirive universale të qytetarëve të lirë të një vendi.
Nëse një njeri, një i zgjedhur arrestohet mbi bazën e një kurthi të poshtër, të ulët dhe mbahet 1 vit, nuk lejohet të bëjë betimin në kundërshtim me parimin universal të prezumimit të pafajësisë, nuk lejohet të takojë ata që e votuan, në kundërshtim me praktikat e mëparshme, kjo është dëshmi flagrante se këtu është vendosur një regjim që nuk njeh votë dhe as parim, nuk njeh votë as zgjedhje.
Dënoj me forcën më të madhe vendimin e gjykatëses me tre mbiemra, vegël e verbër e Edi Ramës.
Dënoj qëndrimin e Edi Ramës, që i mbyll dyert e integrimit Shqipërisë, vetëm e vetëm për pushtetin e tij. Vetëm e vetëm për ambiciet e tij mafioze.
Të dashur miq!
Pse kjo shkelje flagrante e Kushtetutës, e Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Pse ky përkeqësim i madh i marrëdhënieve me shtetin fqinj.
Të gjitha këto kanë vetëm një shkak; interesat mafioze të Olsi Ramës dhe Edi Ramës në brigjet e Himarës. Interesat mafioze të klaneve të tyre të drogës në brigjet e Himarës.