Hapësire reklamuese

Politikë

Dëmi 160 milionë lekë nga inceneratori i Fierit, në dosjen e SPAK del Armando Subashi: Dha paratë, edhe pse i dinte pasaktësitë

Shkruar nga Newsbomb
Dëmi 160 milionë lekë nga inceneratori i Fierit, në dosjen e

Buxheti i bashkisë së Fierit ka pësuar një dëm prej 16 milionë lekësh të reja me shpronësimin abuziv të tokës ku është vendosur inceneratori. Hetimet e SPAK, kanë zbardhur faktin se kryebashkiaku Armando Subashi ka firmosur 4 urdhra pagese edhe pse ishte në dijeni se vendimi i shpronësimit ishte marrë në qeveri në mënyrë të gabuar.

Prona ku më vonë u ndërtua dhe impianti i trajtimit të mbetjeve, parqitej si tokë truall por në hipotekë rezultonte tokë arë. Shpronësimi i kësaj toke i ka shkatuar shtetit një dëm prej 160 milionë lekë të vjetra, me firmë dhe të kryebashkiakut të Fierit Armando Subashi.

Në dosjen penale ndaj ish-deputetit Alqi Bllako dhe zyrtarëve të tjerë të akuzuar për këtë çështje, SPAK thekson se përmes falsifikimit të dokumenteve sipërfaqja prej 111.564 metër katrorë është paraqitur si tokë truall me vlerë shpronësimi 46.299.060 lekë, edhe pse nga korespondenca me ministrinë e Mjedisit dhe Hipotekën e Fierit, prona rezulton “tokë arë”.

Komisioni i shpronësimit është ngritur me urdhër të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, por rezulton se anëtarët nuk kanë marrë pjesë dhe madje nuk kanë as dijeni për këtë. Sipas SPAK, korespondencën me hipotekën e Fierit dhe bashkinë e Fierit e ka mbajtur kryetari i komisionit Pëllumb Abeshi pa dijeninë e anëtarëve të tjerë të komisionit Ylli Hoxha, Ardiana Gjini, Rael Qeleshi, dhe Sabina Cenoimeri.

Abeshi ka përgatitur vetëm një dokument duke paraqitur të dhënat për llojin e pronës tokë truall si dhe vlerën e shpronësimit në shumën 46.299.060 lekë, pa mbajtur asnjë dokument tjetër për të provuar mënyrën e përllogaritjes. Më pas është dërguar për miratim në qeveri për procedurën e shpronësimit.

Sipas SPAK, kryetari i Komisionit të Shpronësimit Pëllumb Abeshi ka përgatitur dokumentacion të falsifikuar duke përllogaritur gabim vlerën e shpronësimit dhe duke shkaktuar një dëm në buxhetin e shtetit në vlerën e 16 milionë e 288 mijë lekëve.

Pas daljes së vendimit të qeverisë, kryetari i bashkisë së Fierit Armando Subashi i ka dërguar letër ministrisë së Mjedisit duke njoftuar se ndodhej para një vendimi qeverie për shpronësimin e pronës me kategorinë jo reale të saj, tokë arë siç e kishte statusin juridik kjo sipërfaqe në Hipotekë, por që ishte shpronësuar me zërin “tokë truall”.

Pas këtij shqetësimi të Armando Subashit, ministri i Mjedisit në një përgjigje me shkrim të firmosur edhe nga Alqi Bllako janë shprehur se ishte bërë një gabim në vendimin e qeverisë, dhe kanë udhëzuar kryetarin e bashkisë së Fierit të procedonte me kryerjen e pagesave të referuar çmimit përkatës të “tokës arë”. Likuidimi i vlerës së shpronësimit është bërë për një periudhë 2-vjeçare sipas urdhrave të kryetarit të bashkisë Fier, Armando Subashi, në katër raste nga viti 2017 deri në vitin 2019 ku këstet totale arrijnë vlerën 46.299.060 lekë.

Prokuroria ka kërkuar vlerësimin e tokës së shpronësuar nga një ekspert i pasurive të paluajtshme i cili në 15 shkurt 2022 ka dorëzuar në SPAK raportin ku thekson se vlera reale e pasurisë së shpronësuar e llojit tokë arë, është 30.010.716 lekë, dhe në këto kushte, shpronësimi i saj me fondin 46.299.060 lekë të caktuar nga vendimi i qeverisë, dhe ekzekutuar nga bashkia Fier, përbën dëm në buxhetin e shtetit në vlerën e 16 milionë e 288 mijë lekëve, raporton Ora News.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll