“Në kërkesën lidhur me llojin e masës së sigurimit që kërkohet të caktohet, Gjykata mban parasysh proporcionalitetin dhe përshtatshmërinë specifike të nevojave të sigurimit në rastin konkret me llojin e masës së sigurimit, në raport edhe me kategorinë e veprave penale që dyshohet se janë kryer. Në situatën aktuale ekziston një opinion mosbesues nga opioni shoqëror por edhe nga institucionet ndërkombëtare, ndaj organeve shtetërore dhe në vecanti ndaj organeve të drejtësisë lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe nuk ndëshkojnë rastet e korrupsionit te nivelit të lartë.
Pasojat e këtij opinion mosbesues kanë ndikuar dhe ndikojnë në imazhin e vendit në raport me lirinë ekonomike dhe shtetin ligjor si dhe në zhvillimin ekonomik të shoqërisë dhe të aktiviteteve ekonomike private. Për të gjitha këto arsye nevojat e parandalimit të përgjithshëm dhe të posacëm për këtë kategori të veprave penale janë teper të larta. Duke vlerësuar rëndësinë e faktit, sanksioni që parashikojnë veprat penale, duke vlerësuar edhe shkallën e nevojave të sigurimit në rastin konkret, duke pasur parasysh rezikshmërinë shoqërore të veprës penale të parashikuar nga neni 287/1 I Kodit Penal që dënohet në maksimum deri në 15 vjet burgim, duke mbajtur parasysh edhe faktin se vepra penale është kryer në bashkëpunim dhe me një shtrirje të gjatë në kohë ndaj personave në hetim Lefter Koka, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja duhet që të caktohet masa e sigurimit personale “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale”.
Nuk është një shkrim i rëndomtë në portale. Eshtë arsyetim i Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në vendimin për rrëzimin e kërkesës së ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka që kërkoi të gjykohej në arrest shtëpie.
Vendimin, siç publikon Balkanweb e ka marrë gjyqtari Erjon Bani pas këshillimit në Dhomën e Këshillimit.
Ligji parashikon se personi mbahet në burg për rrezikshmëri të lartë shoqërire, apo se mund të prishë provat e hetimit. Por gjyqtari argumenton se do ta mbajnë në burg pasi prish imazhin e institucioneve shqiptare përballë ndërkombëtarëve.
Dhe nëse Lefter Koka mbahet në burg, kjo mund të përmirësohe imazhin e drejtësisë në opinionin publik.
Vendimi I arsyetuar, ka edhe mangësi të theksuara nga ana gjuhësore, me përsëritje fjalësh brenda të njëjtës fjali, për të mos folur për arsyetimin juridik.
Eshtë për të qarë e për të qeshur kur në një vendim të tillë lexon se gjyqtari mendon se drejtësia ka prishur imazhin e vendit dhe klimën e biznesit. Ndaj, në arsyetim turbollon ujrat kur thotë se për të gjitha këto arsye, nevojat e parandalimit të përgjithshëm dhe të posacëm për këtë vepër, kategori të veprave penale janë të larta…Dhe këtu, askush nuk e merr vesh.