Agjenti i FBI i arrestuar pak kohë më parë në vendin e tij për shkelje të ligjit me mosdeklarimin e udhëtimeve, takimeve, për mosdeklarim të ardhurash por edhe se ka mbështetur një oligark rus, ka pasur marrëdhënie të ngushta politike edhe në Shqipëri.
Opozita po akuzon qeverinë dhe kryeministrin Rama dhe kanë paraqitur edhe një kërkesë për mocion me debat në kuvendin e Shqipërisë. Por ndërkohë agjenti i FBI shfaqet në një foto shumë miqësore me Enri Ceno, aktualisht sekretar për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Demokratike, njëkohësisht edhe ish-kandidat i Partisë Demokratike në zgjedhje, raporton Top Channel.
Kujtojmë se në vitin 2019, Enri Ceno është përfolur për nënshkrimin e një kontrate lobimi në SHBA me kompaninë “Washington Consultants LLC”. Kjo e fundit një kompani e regjistruar po atë vit me dy themelues, gati anonim, dhe me Cenon si të vetmin klient.
Në foto janë së bashku ish shefi i kundërzbulimit në FBI Charles McGonigal, zyrtari i partitë i partisë demokratike, pjesë e foltores dhe Fjoralba Dizdari anëtare e këshillit kombëtar të Partisë Demokratike.
Ndonëse është e paqartë, mendohet se kjo fotografi është realizuar disa vite më parë, kohë kur zyrtari i FBI-së vizitonte Shqipërinë, dhe siç është raportuar zhvillonte takime jo vetëm me politikanë por edhe prokurorë, gjyqtarë dhe biznesmenë.