Hapësire reklamuese

Aktualitet

Del në skenë gruaja e “Eskobarit të Ballkanit”: Çfarë ndodhi në shtëpinë time kur të gjithë ishim në gjumë (RRËFIMI)

Shkruar nga Newsbomb

Bashkëshortja e personit në kërkim, Kelmend Balilit, Alma akuzon policinë dhe politikanët për akuzat e ngritura ndaj burrit të saj. Sipas Alma Balilit, emri i Kelmendit po përdoret politikisht për interesa të tyre.

 Për “Panoramën” ajo shprehet se janë terrorizuar nga kontrolli i dhjetëra forcave të policisë ende pa u zbardhur dita, në banesën e tyre në fshatin Stjar. Teksa mohon të ketë dijeni se ku ndodhet i shoqi.

 INTERVISTA E PLOTE:

Znj. Alma, çfarë ka ndodhur sot në banesën tuaj?

 Në orën 04:30 të mëngjesit, kur të gjithë në shtëpi ishin në gjumë, erdhën forcat e Policisë. Kishin rrethuar shtëpinë tonë, shtëpitë e kunetërve të mi, të vëllezërve të Kelit. U futën në oborr fillimisht nga dera, por edhe nga muri, pastaj hynë në shtëpi brenda. Kontrolluan në gjithë shtëpinë, në çdo cep të saj, pastaj morën djalin e hipën në makinën e tij dhe nuk e lanë ta ngiste ai makinën. Më thanë e marrim thjesht për një deklaratë dhe jemi këtu jashtë. Ikën, morën edhe djalin dhe, sipas të dhënave, e kanë çuar në Gjirokastër. Te familjet e tjera të vëllezërve të Kelit kanë marrë djemtë nga krevati, që ishin fëmijë të vegjël.

Sa vjeç është djali juaj?

Jetoni, djali im, është 19 vjeç. I kanë marrë zvarrë. I morën të gjithë me vete. I nxorën në rrugën kryesore dhe në sy të nënave i tërhoqën zvarrë. Kjo për mua është e padurueshme, është e papranueshme. Nuk e di se çfarë shteti jemi. Çfarë bëhet kështu në këtë vend. Shteti, qeveria, të merret me personin në fjalë, ta marrë, ta gjykojë të çojë në hetuesi dosjen e tij dhe të merret me të personalisht. Nuk kanë punë me fëmijët. Këto janë veprime që nuk bëhen askund, vetëm në shtetin tonë.

 Ju e hapët derën në mëngjes, apo pati ndërhyrje me forcë?

Po, unë e hapa, edhe pse disa prej tyre u futën në oborr duke u hedhur nga kangjellat, si zakonisht. Se kjo që ndodhi sot, nuk është hera e parë, ne u mësuam tani me këto veprime, kanë ardhur 9 herë deri më tani. Unë sa i pashë, u thashë urdhëroni brenda me mirësjellje, ndërsa ata kërkonin të nxirrnin djalin tim me dhunë jashtë. Ai ishte në gjumë. E gjetën, e morën dhe ikën. Kjo është gjendja sot (dje) te ne. Klement Balili është një njeri i pastër. Dosjen e tij e ka prokuroria, le të merret ajo me këtë punë e të mos merren politikanët. Ata tani të gjithë po e përdorin për arsyet e tyre personale. Do ta kërkojmë të drejtën deri në gjykatat ndërkombëtare. Do t’i shes të gjitha për të gjetur të drejtën.

Pas kësaj sot, çfarë mendoni të bëni?

Do të ngremë kërkesëpadi për Policinë. Djali im nuk e di se ku është akoma, edhe djemtë e këtyre nënave, që janë këtu. Me çfarë të drejte i marrin e i çojnë edhe në Gjirokastër, nuk janë fare këtu. Sepse ndodheshin në rrethinat përreth, dëgjova të jenë shprehur policët. Nuk është e vërtetë. Djemtë nuk ndodheshin në rrethinat përreth, ndodheshin në shtëpitë e tyre. Çudi çfarë ndodh, ishte më afër Komisariati i Gjirokastrës, se ai i Delvinës dhe Sarandës që i çuan djemtë atje?

 Sa mund të ishte numri i policëve që erdhën këtu?

Po nja 50… a ndoshta edhe 100 mund të ishin. Derisa ishte rrethuar tërë vendi, e sigurt që ishin aq. Klement Balili po përdoret shumë keq nga forcat politike. Kjo gjë tani ka dalë hapur, sheshit. Ne nuk jemi budallenj. I gjithë populli i Delvinës e Sarandës e njeh se kush është Klement Balili dhe le t’ia lemë drejtësisë në dorë, të mos merret politika. Kanë ngritur për të akuza nga më të tmerrshmet. Kë vrau, kë preu, kë grabiti. Kush e kapi në flagrancë, ku janë dëshmitarët? Gjithçka është shpifje nga politikanët dhe të gjithë duan të përfitojnë në kurriz të Klement Balilit. Kjo gjë nuk do t’u dalë.

Ku ndodhet bashkëshorti juaj?

Vëllai i tij është shprehur se nuk ndodhet në Shqipëri… Nuk di gjë. Jo, sinqerisht që nuk di gjë…

Sa kohë keni që nuk jeni takuar me Klementin? Është folur se ju jeni marrë vesh me të me letra, me korrierë?

Nuk e di sa kam. Çudi se si mund të thuhen këto. Në këtë situatë që është krijuar, kush mund ta bëjë korrierin? Askush!/  Shpresa Dine

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu