Ky është ish-oficeri Gëzim Çela, ‘baroni’ i drogës me ‘karrierë’ të gjatë në botën e krimit që ra në pranga ditën e sotme në Kosovë. Ai u shpall në kërkim në kuadër të operacionit antidroge "Flakë në det", që nisi më 15 gusht të këtij viti.
Për pasojë policia arrestoi kushëririn e Gëzim Çelës, Nerim Çela. Në pranga përfunduan edhe ish-punonjësin e Policisë së Shtetit, Arlind Ismailukaj, Armando Mema, Besnik Brokeri nga Vlora dhe dy korrierët me shtetësi ukrainase Kyrylo Ponomarenko dhe Kostiantyn Biellon. Një muaj më parë SPAK lëshoi edhe 4 urdhër-arreste të reja, ku u arrestua shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj.
Kush është Gëzim Çela?
Deri në vitin 1997 ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë, por më pas jeta e tij mori një rrjedhë komlet tjetër, duke u kthyer në një nga trafikantët më të mëdhenj që kalonte drogë nga vendet e Lindjes së Mesme në Europë.
Ai ka qenë i dënuar për “shfrytëzim prostitucioni” dhe njihet si një nga “bosët” e trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafikun e lëndëve narkotike.
Në atë vilë, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë dhe 150 kilogram kanabis sativa, ndërsa në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërruan një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.
Por Çela u lirua nga Gjykata me argumentin se vuante nga një sëmundje e rëndë, por më pas u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”, por kur policia rrethoi shtëpinë e tij në Mamurras, ai ia kishte mbathur.
Për Çelën ekziston edhe një dënim nga Gjykata Italiane me 11 vite burgim dhe 150 mijë euro gjobë.
Pas arrestimit të bujshëm reagoi menjëherë edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Balla në një postim në Facebook ka theksuar se nuk do të mbesë asnjë pa u goditur nga forca e ligjit, as ata që kujtojnë se po i fshihen drejtësisë.
“Forca e ligjit do të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet drejtësisë. Përgëzoj Policinë e Shtetit, e cila në bashkëpunim me një agjenci të rëndësishme partnere dhe me strukturat ligjzbatuese të Republikës së Kosovës kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Gëzim Çela, një person i dënuar dhe i kërkuar prej shumë kohësh nga drejtësia në Shqipëri”, - shkruan ministri Balla.