Kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur sot se presidenti Hashim Thaçi i ka bërë dëme të mëdha Kosovës, me idenë e tij për t’i vënë kufijtë e shtetit në dialogun me Serbinë.
Qëndrimin e ka shprehur pas akademisë përkujtimore të organizuar në Prishtinë, për akademikun Idriz Ajeti.
“Presidenti i ka bërë dëme të mëdha vendit me idetë e tij lidhur me dialogun dhe me avancimet për ndarje të Kosovës. Pra, diskutimet e tij e kanë pru gjendjen ku jemi sot”, tha Haradinaj.
Qëndrimin e ka shprehur, pasi është pyetur nëse ishte i qëndrueshëm konstatimi i kreut të shtetit se, me insistimin e tij, Haradinaj ka hequr dorë nga konferenca ndërkombëtare për Kosovën, një propozim që ishte vlerësuar se mund t’ia rihapte për negocim statusin Kosovës.
Raportet Haradinaj-Thaçi ka kohë që janë acaruar. Kjo është vërejtur më shumë kur Haradinaj po këmbëngul që taksa ndaj produkteve serbe e boshnjake të mos hiqet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, në Tiranë teksa mori sot pjesë në Samitin e Diasporës, Thaci me tone të ashpra kundërshtoi idenë e ndarjes së Kosovës, duke u shprehur se një gjë e tillë mund të ndodhë “vetëm nëse kalohet mbi trupin e tij’.
Po ashtu Thaçi i mëshoi sërish idesë së tij për korrigjimin e kufijve, ndërsa shtoi se ata që flasin për ndarje janë shërbëtorë të Sllobodan Millosheviçit, duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi ky i fundit e ka cilësuar si ‘argat’ të Beogradit.