
Pas takimit të Albin Kurtit me presidentin Hashim Thaçi, Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar se ky i fundit gjatë takimit të ketë përmendur apo vendosur afat kohor prej 48 orësh për mandatimin e kryeministrit.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë në Lëvizjen Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti, ka bërë me dije se kishte qenë i pranishëm gjatë takimit të Albin Kurtit me presidentin Thaçi dhe ka theksuar që në takim nuk është përmendur në asnjë moment kufizimi dhe presioni kohor prej 48 orësh të tjera në nominimin e kryeministrit siç deklaroi Thaçi pas takimit.
Ahmeti ka bërë me dije se në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Vetëvendosjes do të merret një vendim në përputhje me Kushtetutën dhe më pas dop t'i dërgohet zyrtarisht me shkrim propozimi Presidentit.
Postimi i plotë:
'Sot, si Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, isha pjesëmarrës në takimin e Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, me Presidentin e Republikës së Kosovës.
Mund të them që në asnjë moment Presidenti nuk ka përmendur kufizim kohor për nominimin e kadidatit/es për Kryeministër, e aq më pak afatin prej 48 orëve.
Ky kufizim kohor apo çfarëdo kufizimi i ngjashëm, nuk ka bazë kushtetuese.
Në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë sonë do të marrim vendim, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe mandej do t'ia dërgojmë zyrtarisht e me shkrim Presidentit propozimin tonë', ka shkruar Ahmeti.