Hapësire reklamuese

Politikë

Deklarata e fortë e Bashës: McGonigal i përfshirë edhe në aferën e inceneratorëve

Shkruar nga Newsbomb
Deklarata e fortë e Bashës: McGonigal i përfshirë edhe

Lulzim Basha doli sot në një konferencë për mediat, nga ku foli lidhur me dënimin i ish-zyrtarit të FBI-së McGonigal me 28 muaj.

Teksa uroi Kosovën për 16-vjetorin e Pavarësisë, Basha tha se ka pritur me qetësi vendimin e drejtësisë amerikane për McGonigal, e cila sipas tij pranoi gjithë operacionin e pisët që Rama bëri kundrejt Bashës dhe Partisë Demokratike.

Basha akuzoi Edi Ramën për shpifjet që bëri në emër të tij, ndërsa tha se është e paprecedentë në historinë e Shqipërisë dhe në historinë e vendeve demokratike, që kryeministri i vendit korrupton shefin e FBI për të sulmuar kryetarin e opozitës.

"Dënimi i ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal, nga Gjykata Federale e Washingtonit nxori në pah luftën e paprinciptë dhe të pamoral të Edi Ramës ndaj opozitës shqiptare dhe veçanërisht ndaj meje si drejtues i saj. Ai nuk u mjaftua vetëm me përfshirjen e krimit të organizuar në zgjedhje, me shitblerjen e votës, me kriminalizimin e shtetit, me përdorimin e aseteve publike dhe privatizimin e shtetit për mbledhje votash, por korruptoi edhe zyrtarin e lartë të FBI vetëm e vetëm për të goditur Lulzim Bashën, PD, opozitën dhe për të penguar rotacionin politik vend.

Kjo nuk eshte një ngjarje e vetme dhe as e izoluar. Është pjese e një fushate të ndërtuar, financuar dhe zbatuar nga kryeministri i vendit pëmes një lufte me mjete të ndyra kundër kreut të opozitës dhe rivalit për kryeministër. Ju të gjithë i mbani mend investigimet mediatike të 2021 të cilat zbuluan para shqiptarëve se Edi Ramës nuk i mjaftoi vetëm operacioni kriminal i manipulimit dhe diktimit të votave, por kishte paguar për mbi 50 milionë mesazhe denigruese kundër meje neper rrjetet sociale.

Që nga 2005 ku i jam bashkuar politikës kam qenë njeriu më i sulmuar dhe për fat të keq jo vetëm nga kundërshtari politik. Por gjithmonë kam besuar se e vërteta sado të zhytet, kurrë nuk do të mbytet", tha Basha.

Basha  bëri gjithashtu një deklaratë të fortë për ish-zyrtarin  e FBI-së. Ai tha se McGonigal është i përfshirë edhe në aferën e inceneratorëve dhe se javën tjetër do të bëjë një kallëzim në SPAK lidhur me këtë.

Ai tha se në ditët në vijim do të paraqesin në detaje të gjitha lidhjet e aferës McGonigal me aferën e inceneratorëve.

Afera e inceneratorëve është një skandal që shkon mbi 110 milionë euro, para të dhëna nga taksapaguesit shqiptarë dhe nga qeveria shqiptare për 6 vite për një incenerator që nuk ekziston. Janë paguar mbi 110 milionë euro nga taksat e shqiptarëve të varfër, nga biznesi, i cili këto kosto i faturon te qytetarët dhe nuk ka incenerator. Ne këtë  skemë  mashtrimi  është përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës.

"Pas një investigimi bazuar në fakte dhe prova është zbuluar edhe një e vërtetë tjetër kriminale. Duart e McGonigal gjenden edhe në aferën e inceneratorëve. Pagesat dhe shpërblimet ndaj tij janë shumë herë me shumë se sa kanë dalë në publik. Prandaj kjo çështje nuk do të mbyllet me kaq. Në ditët në vijim do të paraqesim në detaje të gjitha lidhjet e aferës McGonigal me aferën e inceneratorëve.

Me emër e mbiemër të gjitha do ti depozitojmë ne SPAK krahas kallëzimit të paralajmëruar tashmë për përfshirjen personalisht të Edi Ramës në aferën e inceneratorëve siç e ka rrëfyer numri 2 i tij, Arben Ahmetaj.  Dje drejtësia amerikane foli, McGonigal pranoi të gjithë operacionin e pisët kundër Lulzim Bashes dhe PD dhe u dënua me 2 vite e 4 muaj burg për rolin e tij në këtë aferë.

Dikush shpreson qe ky të jetë kapaku i kësaj historie rrëqethëse korrupsioni dhe kompromentimi të niveleve më të larta. Jam sot për ti thënë, mos gënje veten. Ky është vetëm fillimi i zbulimit të zinxhirit të aferave të tmerrshme korruptive. Sado kohë të marrë, 8 ditë, tetë javë, tetë muaj apo tetë vjet, e vërteta do zbardhet dhe përgjegjësisë nuk do ti shpëtojë dot askush", tha Lulzim Basha.

Charles McGonigal u dënua dje  me 28 muaj burg për “shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptari-amerikan Agron Nezaj, si dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë.

Gjykata federale e Washingtonit e dënoi  ish zyrtarin e lartë të FBI-së, i cili akuzohet se nuk kishte deklaruar marrjen e parave. Gjithashtu prokurorët në SHBA-të, kanë arritur të provojnë se ai kishte avancuar interesat e biznesit të Nezajt duke gënjyer FBI-në për aktivitetet e tyre të përbashkëta.

“Kjo përbën në thelb korrupsion që minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë. I pandehuri ishte betuar se do të hetonte dhe parandalonte krimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe jo t’i kryente ato”, thuhej në dokumentin e vendimit, raporton “WashingtonPost“.

Lexo edhe: Mori 225 mijë dollarë nga Shqipëria, Gjykata dënon me 28 muaj burg Charles McGonigal

Kujtojmë që në muajin shtator, McGonigal pranoi të gjitha akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë. Avokatët e tij dhe prokurorët bënë një marrëveshje në bazë të parimit të pranimit të fajësisë. Ata pranuan fshehjen e provave materiale, e cila ishte e shkruar në aktakuzë e në këtë mënyrë, prokurorët hoqën dorën nga 8 pikat e tjera, sikurse legjislacioni amerikan e parashikon.

Si një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së që është akuzuar ndonjëherë për një krim, McGonigal udhëhoqi hetime të mëdha të inteligjencës, duke përfshirë publikimin e kabllogrameve të klasifikuara të Departamentit të Shtetit në vitin 2010 në WikiLeaks dhe kërkimin e një spiuni të dyshuar për Kinën brenda CIA-s.

Ai kishte akses në një sasi të jashtëzakonshme informacioni të ndjeshëm, duke përfshirë hetimet e spiunëve të huaj ose shtetasve amerikanë të dyshuar se punonin në emër të qeverive të huaja, dhe të huajve që FBI dhe CIA po rekrutonin për të spiunuar për Shtetet e Bashkuara.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese