Deputeti, Gazment Bardhi, ka reaguar pas postimit të ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, i cili u bëri thirrje institucioneve përkatëse që të zbatojnë ligjin njësoj për të gjithë deputetët në rastet kur ata shkelin ligjin.
Balla iu referua kaosit që deputetët e opozitës shkaktuan sot sërish në Kuvend, me tymuese, zjarr dhe rrëmujë. Balla theksoi se asnjë deputet nuk mund t’i shmanget ligjit kurrësesi, duke përfitur apo duke u fshehur pas imunitetit.
Lexo edhe: Flamur Noka ndezi zjarr në Kuvend, Balla: Vepër penale, dënohet deri në 5 vite burg
Lidhur me këtë deklaratë, Gament Bardhi tha se Edi Rama dhe Taulant Balla i kanë vënë zjarrin Shqipërisë prej 10 vitesh dhe e kanë shndërruar prej kohësh sallën e seancave plenare në një skenë krimi.
Ai akuzoi qeverinë për favorizime të përfaqësuesve të krimit të organizuar, duke përmendur edhe kontratën e Sterilizimit apo aferën e inceneratorëve.
“Boll u fshehët pas Gardës dhe boll u ankuat për protestën e opozitës në Parlament që shpreh mospajtimin me këto çështje”, nënvizon ndër të tjera Bardhi.
Lexo edhe: FOTOLAJM/ Flamur Noka përjashtohet nga seanca, tentoi t’i vinte zjarrin Parlamenti
Reagimi i Gazment Bardhit:
Edi Rama dhe Taulant Balla i kanë vënë zjarrin Shqipërisë prej 10 vitesh dhe e kanë shndërruar prej kohësh sallën e seancave plenare në një skenë krimi, ku kalohen ligje korruptive për të favorizuar përfaqësues të krimit të organizuar apo ortakët e tyre në biznes.
Vetëm me kontratën e koncesionit të sterilizimit gjykata dhe prokuroria e posaçme kanë konstatuar se kanë vjedhur plot 60 milion euro.
Vetëm me zgjatjen e afatit të ligjit për investimet strategjike i siguruat më shumë para një përfaqësuesi të krimit të organizuar në Shkodër që sot është në burg se ka urdhëruar vrasje.
Vetëm me ndryshimet e ligjit të koncesioneve i hapën rrugë vjedhjes së milona eruove me kontratat e inceneratorëve sipas interesit të Klodian Zotës dhe Mirel Mërtirit.
Këto janë skena krimi që kanë nevojë të hetohen nga drejtësia, jo karriget e opozitës në foltoren e Kuvendit.
Boll u fshehët pas Gardës dhe boll u ankuat për protestën e opozitës në Parlament që shpreh mospajtimin me këto çështje.
Interesi i qytetarëve e kërkon që aferat korruptive të Qeverisë Rama-Balla të hetohen, nga Parlamenti dhe nga drejtësia. Përmes mohimit të hetimit parlamentare, ju po kërkoni të shpëtoni nga transparenca dhe llogaridhënia, me besimin se do shpëtoni edhe nga drejtësia!
Parlamenti nuk mund të jetë skenë krimi permanente ku ju miratoni ligje me porosi dhe më pas nuk lejoni opozitën të ushtrojë të drejtën e saj të kontrollit parlamentar mbi zbatimin e këtyre ligjeve. Kthimi në normalitet i Parlamentit kalon përmes respektimit të Kushtetutës. Në të kundërt, ju do ta vazhdoni ta trajtoni Kuvendin si sallë ku votoni për të pasuruar veten dhe varfëruar shqiptarët.