
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka bërë një deklaratë të fortë duke iu referuar Prishtinës zyrtare, e cila sipas tij ka për qëllim të dobësojë Veriun e Kosovës dhe të përçajë serbët që jetojnë atje.
Në një prononcim për Radio Televizionin e Serbisë, Vuçiç ka thënë se Prishtina duke akuzuar nënkryetarin e Listës Serbe në parlamentin e Kosovës, Milan Radojçiç për vrasjen e kreut të Iniciativës Qytetare Serbe, Oliver Ivanoviçit, kërkon dhe synon që të dobësojë serbët në Veri të Kosovës.
‘Beogradi prej kohësh e ka ditur se Radojçiç nuk ka kurrfarë lidhje me vrasjen e Ivanoviçit’, ka thënë Vuçiç për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).
Ai theksoi se nënkryetari i Listës Srbska në parlamentin e Kosovës, Radojçiç ishte 500 kilometra nga Mitrovica në momentin kur u vra kreu i Iniciativës Qytetare serbe, Oliver Ivanoviç jashtë zyrës së tij në Mitrovicë.
Vuçiç vlerëson se pikërisht presidenti i Kosovës Hashim Thaçi me deklaratën e tij në Tiranë se ai e ka dëbuar Radojçiçin nga Kosova, konfirmoi se rasti kundër tij ishte i montuar.
‘Ata deshën të dëbojnë Radojçiçin për të dobësuar mbrojtjen serbe nga veriu i Kosovës, e dinin se Radojçiç është një nga figurat kryesore, donin ta dëbonin dhe të prisnin momentin e përshtatshëm për të sulmuar serbët në Veri’, tha Vuçiç duke shtuar se nuk ekziston fletëarrest kundër Radojçiçit.
Kujtojmë se Oliver Ivanoviç u vra më 16 janar të vitit të kaluar në hyrje të zyrës së tij në Mitrovicën e Veriut. Për përfshirje në vrasjen e tij, institucionet e Kosovës kanë ngritur 4 aktakuza, një prej të cilave është kundër nënkryetarit të Listës serbe, Milan Radojçiçit.