Hapësire reklamuese

Aktualitet

Dashuritë nuk vdesin…

Shkruar nga Newsbomb
Dashuritë nuk vdesin…

Nga Pano Hallko

Të shtunën e kaluar u nda nga jeta, një gazetare, një përkthyese, një zë ndër pak zërat që Radio “Tirana” pati në gjuhët e huaja, një zonjë ndër të paktat intelektuale dinjitoze që kryeqyteti pati.

Iku në amshim zonja Dashuri Murati, Dashka, siç një jetë të tërë e njohu Tirana.

Siç ishte e natyrshme, pjesëtarë në këtë hidhërim të madh të familjes Murati, ishin gazetarë, por edhe diplomatët, bashkë me miqtë e familjes.

DASHURIA, SIÇ E THOSHTE EMRI…

Babai i saj, gazetari Fejzi Kembora i foli vajzës së sapolindur në qytetin e Lushnjës së vitit 1953, emrin Dashuri!

Çfarë mund të ketë ndikuar vallë te gazetari i viteve ’50-të, që ta quante vajzën e tij me emrin kuptimplotë Dashuri?

Ajo nuk ishte fëmija e parë që i lindi, e të thuash se babai i ri, në kulmin e gëzimit, si fryt të dashurisë së tij bashkëshortore, e regjistroi me atë emër.

Atëherë, pse e quajti Dashuri? Ndoshta instikti i gazetarit, i kishte parathënë atij, se si ishte ngjizur, e çfarë do të bëhej, ajo krijesë.

Në datën 11 Maj në 2021, sipas INSTAT-it, figurojnë 1185 femra shqiptare me emrin Dashuri në listë. E në këtë listë, është ende edhe Dashuri Murati. Sepse merr kohën e tij, veprimi i çrregjistrimit.

Shkruesi i këtyre radhëve, është i sigurt se kanë qenë shumë më tepër femra shqiptare, me emrin Dashuri. Edhe grafiku i atij institucioni, këtë tregon. Ashtu siç është i sigurt, se vajzat që do të kenë këtë emër, do të pakësohen tmerrësisht, deri në zerim. Dhe… “me të drejtë”, sepse ky sistem që zgjodhëm të jetojmë, dashurinë për bashkënjeriun e ka shkulur me gjithë rrënjë nga themeli i tij, në kapitalizmin alla shqiptarçe që po ndërtojmë.

E kanë katandisur shoqërinë tonë, ashtu siç na e përshkruante ai “diktatori i poshtër”:-“Në kapitalizëm, njeriu për njeriun është ujk”! Dhe ujku, vetëm dashurinë nuk njeh.

Dashka shkëlqeu në gjimnazin e Lushnjës, e me ato nota iu drejtua dyerve të Universitetit shtetëror të Tiranës. Në degën e Historisë. E kishte marrë provimin e parë me notën 10, por shteti i asaj kohe, e pa të nevojshme të krijonte një grup special, për të mësuar gjuhën turke.

Për arsye historike, por edhe shtetërore gjeopolitike, të cilat nuk është vendi këtu t’i shtjellojmë.

Siç krijoheshin grupet speciale në shtetin serioz që patëm, do të ishin vetëm pesë studentë.

Aq sa të rrepta ishin kriteret (të cilat Dashuria i plotësonte), po aq e ashpër ishte konkurrenca për t’u regjistruar atje.

Atëherë, përveç notës, u tha se do t’i merrnin sipas renditjes alfabetike në regjistër. Prof. Ferit Duka dhe Dashuri Murati, “sido që ta rrotulloje renditjen” , ishin patjetër në listë.

Kuptohet, edhe u shkel renditja, u kapërcyen germat, deri edhe te germa N, madje deri edhe te germa Z.

Por të pestë e meritonin, sepse ishin të shkëlqyer.

Vajza e qashtër myzeqare, as u interesua fare, pa lere më të “lobonte”.

Në qytetin “Studenti” llampa e dritës në dhomën ku flinin studentet Dashuri Murati dhe Luli Hoxha, fikej vonë, shumë vonë.

Myzeqarja sedërtare kafshonte gishtin, kur nuk i ecte mirë studimi në gjuhën turke.

Falë asaj sedre, intelektit të lindur e të kultivuar, por dhe ndjenjës së përgjegjshmërisë, ajo arriti të shkëlqente si pak të tjerë.

Por pa mbushur ende 20 vjeç, fati e goditi rëndë.

I mori vdekja pikën e referimit dhe të krenarisë që kishte, babain e saj, gazetarin Fejzi Kembora.

Qysh atëbotë, ajo u lidh me “aleatin” sa ngushëllues aq edhe të pabesë, cigaren.

Dhe e përfundoi shkollën, ashtu siç e nisi. Shkëlqyeshëm.

Në Radio Tirana, e cila ishte superfuqi asokohe, pasi transmetonte në 24 gjuhë të huaja, Dashuri Murati filloi punën dhe iu imponua ambientit, sa me vlerat njerëzore që kishte, aq edhe me kompetencën profesionale.

Nuk është thënë më kot shprehja :-Fati, me njërën dorë të hedh, e me dorën tjetër të pret”…

Asaj fati i kishte rezervuar një lidhje që shumë vajza të Tiranës së asaj kohe do ta kishin ëndërr.

Njohjen me njërin ndër katër-pesë gazetarët më të spikatur që kishte vendi, me ekspertin më të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare, që vendi pati dhe ka ende sot. Njohjen dhe lidhjen përjetësisht, me gazetarin Shaban Murati.

ATA I DHANË DINJITET SHTETIT…

Gazetarja e re dhe zëri i saj i ri, në një gjuhë që sapo kishte hyrë në transmetim në Radio, bënë vendin e tyre të padiskutueshëm.

Me sharmin e pashoq që kishte, me intelektin dhe nervin patriotik kombëtar, por edhe me gjuhët e huaja që zotëronte, zonja Dashuri Murati në krah të ambasadorit, ishte mbështetje e fortë për bashkëshortin e saj, por edhe një stoli shumëvlerëshe për shtetin.

Nuk i kërkoi ambasadorit kurrë, siç kanë bërë disa “zonja” të kolme “shqiptare” të cilat në kaq vite “na përfaqësojnë”, që ai të themelonte biznese familjare për të hapur llogari marramendëse. Siç bënë shumë të tjerë “ambasadorë të Shqipërisë”, prej atyre që emëroheshin nga partitë respektive, sa herë ndërrohej pushteti në Tiranë.

Me VKM-në e 7 janarit të vitit 2013 për shembull..

Përkundrazi, çifti dinjitoz e vuante rëndë, atë që u tha përfaqësuesi i një firme dinjitoze suedeze. Ambasador Murati e bindi një biznes të madh suedez, të merrte pjesë në një tender të madh në Shqipëri. Për interesa të Shqipërisë.

Firma suedeze, meqenëse u besonte dokumenteve të shteteve në botë, erdhi dhe u paraqit në Tiranë. Të merrte pjesë në tender, brenda të gjithë afateve, e me të gjitha letrat që kërkoheshin.

Por… tenderi kishte përfunduar, madje ishte shpallur dhe fituesi, pa u zhvilluar tenderimi fare!!!

Biznesmeni suedez kishte takuar kryeministrin e Tiranës, i cili pyetjes suedeze: “Përse nuk u zbatua asnjë kriter nga ata të shpallurit”?, iu përgjigj me pafytyrësi:- “I dashur mik! Është shumë e shkurtër jeta ime, që të udhëtoj me biletë të klasit të dytë, për në Athinë”!!!

Iku suedezi nga sytë këmbët, me linjën e parë që gjeti biletë, me tranzit, brenda asaj dite, vetëm të mos ia shikonte sytë kurrë më, këtij vendi.

Dhe arriti në Stokholm suedezi, por kujt t`i ankohej? Doemos ambasador Muratit, atij që i mbushi mendjen, e të cilit ia njihte ndershmërinë.

E ky i fundit edhe sot, e vuan poshtërimin që përjetoi për hir të sekserit të pa fytyrë, i cili veç të tjerave, merrte edhe rrogën e kryeministrit të Tiranës.

Këto dhe shumë të tjera, ambasadori ynë i shquar i ka shkruar në të famshmet “Antitabu” që ka botuar, për ata që dinë të lexojnë.

FAMILJA MURATI…

Qindra njerëzve që morën pjesë në ceremoni, por edhe qindra të tjerëve që ishin në pritjen që dha familja, iu ka mbetur përjetësisht në mendje dinjiteti i asaj familjeje. Një dinjitet, të cilin ajo familje e ka të shkruar në ballë, përditë e në gjithë jetën e saj, në tre breza sot.

Është në natyrën e familjeve të mëdha, që të jenë njësoj dinjitoze, edhe në dhimbjen më të madhe të tyre. Sepse familjet e mëdha nuk janë të tilla për shkak të numrit të anëtarëve, apo edhe për shkak të atij numri. Pasi shumë rrallë, sasia është edhe cilësi.

Talenti lind pavarësisht nga rregullat. Sepse lindja e talentit është një mister i vërtetë. Shumica e njerëzve këtë mister e quajnë rastësi. Por ja që rastësitë janë të pafundme, e shumë pak prej tyre kanë të bëjnë me talentin. Le të supozojmë se në botë kanë lindur 100 rastësi, të cilat janë njëherazi edhe talente. 99 prej tyre, nuk afirmohen, pra e humbasin potencialin dhe dhuntinë e talentit.

Por mes këtyre 100 talenteve, njëri arrin të shpërthejë, të realizohet, e të përfaqësojë edhe 99 të tjerët. Sepse vetë natyra nuk është mungesa e ligjeve, por është domosdoshmëria.

Sepse ne të gjithë jemi bij të rastit, por kemi një nënë të pazëvendësueshme; domosdoshmërinë…

…Lind pyetja: -Kush është më e përafërt me njeriun, emri i njeriut, apo personaliteti i tij? Dashuri Murati ishte ndër rastet tmerrësisht të rralla, ku emri përputhej me botën shpirtërore të saj.

Ajo ishte dhe mbeti, një grua shpirtbukur.

Të jetosh, do të thotë të vdesësh nga pak çdo ditë. Për të vdekur më në fund, përgjithmonë. Ky nuk është fatalitet, por cikli i Jetës.

Por çdo ditë të jetës së saj Dashuri Murati, la gjurmët e saj. Prandaj vdekja në rastin e saj, është konvencionale. Sepse ajo e ka ngjizur veten e saj te pasardhësit e saj.

Publiku shqiptar i njeh birin dinjitoz dhe bijën dinjitoze të familjes Murati, ndaj është i bindur se ikja e Saj është thjesht një konvencion…

Dashuria është një koncept kozmik. Dashuria e vërtetë është edhe ndarje. Por ndarja është prania e dashurisë në mungesë.

Dashuria universalizohet në botën e shpirtërave njerëzorë. Dashuria që mungon, në të vërtetë rishfaqet. Ajo që është, mund dhe të mos jetë. Por ajo që nuk është, patjetër edhe do të jetë.

Dashuria është e pamatshme. Është pa cak. Dashuria është më tepër e tejdukshme, sesa e dukshme. Dashuria e kapërcen materien fizike. dashuria nuk mund të shpjegohet dot. Ajo ndjehet. Por nuk përcaktohet. Ajo është e gjithfuqishme.

…Të vdekshëm janë të gjithë vdekatarët, por cilësitë e dinjitozëve nuk janë të vdekshme.

Ikën personi, por rron personaliteti i tyre.

Kjo po ndodh e do të ndodhë, edhe me Dashuri Muratin. /Botuar te Gazeta DITA

Lexo gjithashtu

Sondazh

Gazetari Eduard Ilnica është dhunuar barbarisht mbrëmjen e së hënës nga disa persona. Për shkak të një shkrimi botuar në gazetën lokale për ekipin e Kastriotit.

Sakaq, ka reaguar demokrati Genc Pollo që akuzon qeverinë për mosmarrje dënimi apo solidarizim për rastin në fjalë.

Pollo thotë se liria e shtypit ka rënë poshte.

“Edhe një gazetar tjetër i dhunuar barbarisht pasi bëri detyrën, raportoi për dhunën në stadium. Në mes të Tiranës! Asnjë dënim apo solidarizim nga qeveria, ministri i Brendshëm, i Sportit. Si dhe më parë. Liria e shtypit poshtë”, shprehet deputeti në një deklaratë për mediat.