Hapësire reklamuese

Politikë

Damian Gjiknuri takim me banorët në Sarandë: Rruga Kardhiq-Delvinë, sukses për të cilin ndjehem krenar

Shkruar nga Newsbomb
Damian Gjiknuri takim me banorët në Sarandë: Rruga

Në një takim elektoral të zhvilluar me banorë të qytetit të Sarandës, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri, prezantoi kandidatët Anila Denaj, Niko Kuri dhe Leonard Beqiri.

Mirëseardhjen të pranishmëve jua shprehu Kryebashkiaku i qytetit Adrian Gurma.

“Duke patur Anilën anëtare të kabinetit qeveritar, Ministre të Financave, ju garantoj se katër vitet e ardhshme do të kemi një partneritet të shkëlqyer dhe Saranda do të njohë bum investimesh. E kam prekur miqtë e mi, vëllezër dhe motra, e kam prekur këtë që po them dhe nuk po e them për konsum politik. E them sepse ditë për ditë, në përditshmërinë time si Kryetar Bashkie, Anilën e kam patur gjithmonë në krah. Ka dhënë provën që Sarandën e do dhe e mbështet ndaj dhe ne duhet tia shpërblejmë me votë. Në 25 Prill Partinë Socialiste dhe numrin 12”, u shpreh ai.

Duke folur për investimet që kanë transformuar edhe Sarandën, Gjiknuri u ndal tek rruga Kardhiq-Delvinë.

“Këto rrugë të reja, sidomos rruga Kardhiq-Delvinë për të cilën unë personalisht ndjehem krenar sepse kam patur firmën dhe vulën time në këtë projekt kaq të rëndësishëm, për një vit do jetë gati dhe të gjithë do të kenë mundësi të vinë më shpejt në Sarandë. Edhe ajo rruga e Lumit të Vlorës që mund të duket sikur nuk ka lidhje me Sarandën, do ti shërbejë shumë mirë pjesës tjetër të bregdetit”, tha socialisti. 

Duke ju referuar rezultateve të sondazheve, Gjiknuri këmbënguli se Qarku i Vlorës ka shanset optimale për një rezultat të thellë.

“Ne duhet të marrim rezultatin më të thellë. Ju i keni parë dhe sondazhet, Qarku i Vlorës ka rezultatin më të thellë në Shqipëri. Unë mendoj se ne i kemi mundësitë të marrim 9 mandate, jo thjesht për të qenë kampion por për ti thënë edhe Edi Ramës që ky Qark di të vlerësojë punën dhe di të të falenderojë me votë. Pse jo ta fusim në borxh që këto investime të vazhdojmë edhe më tej për gjithë Qarkun”, theksoi ai.

Kandidatja Anila Denaj tha se e gjithë skuadra e Qarkut të Vlorës është një garanci për të marrë mbështetjen masive të qytetarëve në 25 Prill.

“Sigurisht këtu nuk arrijmë asgjë të vetëm. Jo vetëm kemi një ekip të shkëlqyer në të gjithë qarkun të drejtuar nga Damiani, kemi një ekip këtu në Sarandë me Nikon me të cilin kemi që në fillim një marrëdhënie të mrekullueshme. Partia drejtohet nga një zonjë e nderuar që punon çdo ditë për të bashkuar sa më shumë socialistët. Mbi të gjitha me një kryetar bashkie me të cilin kemi patur një bashkëpunim të mrekullueshëm dhe që në çdo moment më ngacmon për më shumë fonde e më shumë fonde sepse ai e di se kërkesat tuaja janë edhe më shumë për ta bërë Sarandën edhe më të bukur”, u shpreh Denaj.

Më tej ajo u angazhua për rritjen e investimeve për Sarandën në katër vitet e ardhshme të qeverisjes së majtë. “Në datë 25 Prill, këtë vizion të Partisë Socialiste, të Kryeministrit Edi Rama dhe me punën e Kryetarit të Bashkisë dhe të qeverisë, me zotimin tim për çdo angazhim e çdo investim të shtuar që Saranda do ta ketë dhe do ta realizojmë”, premtoi ministrja.

Kandidati mjek Niko Kuri garantoi qytetarët se nuk do të shkëputet as nga roli i tij i rëndësishëm si mjek në spitalin e Sarandës. “Këtu e 20 vitë në punën time si mjek, jemi njohur edhe në situata të vështira për secilin nga ne. Në anën e mjekut por dhe si njeri jam përpjekur të bëj punën time sa më mirë e me rezultat. Qëllimi im këtë rradhë nuk është që të braktis spitalin dhe as profesionin tim që e kam me shumë pasion. Që të ndihmoj qytetin tonë, njerëzit tanë dhe gjithë ju këtu, në një nivel më lart ku merren vendime për të ardhmen e vendit. Jam i sigurtë se programi i PS do të sjellë fitoren në 25 Prill”, tha Kuri.

I njëjti optimizëm u shfaq edhe nga kandidati tjetër i listës së Partisë Sociaiste Leonard Beqiri.

“Data 25 Prill përcakton do të vazhdojmë rrugën e të ardhmes për një Shqipëri evropiane dhe që fëmijët tanë të kthehen nga emigracioni. Rrugën e shpresës që kemi nisur me Kryeministrin Rama apo të kthehemi në të kaluarën. Jam i bindur se data 25 do të tregojë edhe njëherë se ne duam atdheun, duam Shqipërinë dhe veten tone”, u shpreh Beqiri.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu