Ministri i Brendshëm, Bledi Çuci tha sot nga Shkodra se në Policinë e Shtetit po nis një kapitull i ri për ta modernizuar sa më shumë këtë institucion, në të mirë të qytetarëve.
Në ceremoninë e inagurimit të ambienteve të reja të Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Shkodër, Çuçi theksoi po ashtu se do të bëhet një kontroll i imtësishëm i të gjithë territorit të vendit, me dronë super-inteligjentë.
“Po nisim një kapitull të ri për modernizimin e Policisë së Shtetit. Ky 4-vjeçar do të shënojë hapin më të madh në lidhje me teknologjinë, që nga ngritja e aftësive në luftën kundër krimit kibernetik, deri tek kontrolli i plotë i territorit me dronë super-inteligjentë”, tha ai.
“Ministria e Brendshme gjatë viteve të fundit ka nisur një projekt madhor për modernizimin në çdo qelizë të strukturave të Policisë së Shtetit, duke nisur nga pajisjet, mjetet e punës, trajtimin financiar, ambientet e reja, e sidomos nëpërmjet futjes së teknologjisë së avancuar dixhitale dhe pajisjeve të sofistikuara për të mbuluar detyra, që deri dje kryheshin përmes mbikëqyrjes fizike”, shtoi ai.
Të pranishëm në ceremoninë e inagurimit ishin edhe drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu, drejtues të tjerë të departamenteve në Policinë e Shtetit, Prefekti dhe përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese në qark.