Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Covid-19 shton depresionin në vend, rritet ndjeshëm konsumi i qetësuesve

Shkruar nga Newsbomb
Covid-19 shton depresionin në vend, rritet ndjeshëm konsumi i

Një duzinë njerëzish qëndronin në radhë, të shkujdesur, me zë të lartë dhe me padurimin për të kryer vizitën e tyre në Poliklinikën Qendrore në kryeqytet. Shqetësimi i të cilëve lexohet edhe poshtë maskave. “Secili ka halle të ndryshme”, më thotë mjekja psikiatër, Arjana Rreli, të cilën e prita thuajse dy orë. “Fluksi është i tillë gjithmonë, por vihet re ndërgjegjësimi për të kërkuar ndihmë, sidomos pas pandemisë”- vijon znj. Rreli.

Pavarësisht zhvillimeve moderne në mjekësi, koronavirusi ka shkaktuar më shumë se 1 milion vdekje të raportuara në më pak se një vit në botë. Përveç numrit të të vdekurve, pandemia ka shkaktuar probleme të rëndësishme emocionale, fizike dhe ekonomike, në të gjithë botën. Fazat e hershme të pandemisë në marsin e vitit të shkuar dhe bllokimet më pas ishin të vështira për të gjithë, në mënyra të ndryshme. Izolimi, papunësia, kujdesi për fëmijët dhe sfida të tjera ndikuan rëndë në mirëqenien mendore të shumë njerëzve në botë. Megjithatë, këtu jemi, një vit më vonë. Si po ia dalim? Efektet shëndetësore fizike të COVID-19 dhe vdekjet e panumërta që ka shkaktuar pandemia kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shkatërruese në shkallë globale. Sidoqoftë, shëndeti mendor i njerëzve në të gjithë globin mori një goditje.

Nuk bëri përjashtim as Shqipëria. Njerëzit ishin të shqetësuar për ndikimin emocional që humbja e të dashurve do të kishte mbi veten dhe mbi miqtë, familjarët. Shumë e kishin të vështirë ta përballonin izolimin, ndërsa të tjerët e kishin të vështirë, për shkak të humbjes së punës dhe pasigurisë financiare, mbylljes së bizneseve. Për më tepër, studimet kanë zbuluar stresues të tjerë, duke shtuar ngarkesat emocionale të individëve, si izolimi social, papunësia dhe humbjet ekonomike. Gjithashtu, puna nga shtëpia, ndërsa do të duhet të kujdeseshin për fëmijët dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, ishte një arsye më shumë e shtimit të stresit.

Sipas mjekes psikiatër, Arjana Rreli, numri i pacientëve që kërkojnë shërbimet mjekësore është rritur në tre vitet e fundit, por doktoresha pohon se situata në realitet është edhe më e rëndë, pasi shoqëria ende nuk ka kulturën e mjaftueshme për të marrë diagnozë te mjeku dhe më pas trajtimin e nevojshëm. Znj. Rreli thotë se një shoqëri e stresuar nuk është produktive dhe krijon predispozitë për të përthithur edhe pjesën tjetër të shëndoshë të popullatës, sidomos me efektet që lë brenda familjes. Sipas saj, mendohet shumë dhe veprohet për sëmundje të tjera, por sëmundja e mendjes është ndër sëmundjet më të kushtueshme, me ndikime negative në ekonominë e një shoqërie.

Grupe që përpara pandemisë kanë qenë në një pozitë të brishtë psikologjikisht apo fizikisht, janë më të rrezikuara nga sëmundjet mendore, përfshirë ata që kanë prirje për abuzim me alkool dhe substanca të ndryshme. “Njerëzit u privuan nga kënaqësitë e vogla të jetës dhe nga ritet e traditat e rëndësishme, si lindjet, martesat, vdekjet. Dhe mbi të gjitha mungesa e informacionit dhe e sigurisë së rikthimit në ritmin normal të jetës, shtoi stresin, ankthin e më pas, depresionin te shqiptarët” – thotë mjekja Rreli.

Aty ku ishim një vit më parë

Pandemia detyroi disa njerëz të punojnë dhe të ekspozohen ndaj virusit, ndërsa të tjerët përfituan nga puna në shtëpi. Në fillim të pandemisë, disa njerëz gëzuan masa më të qeta bllokimi (në varësi të vendit në të cilin ndodheshin), ndërsa të tjerët ndiheshin më të sigurt nga izolimi i rreptë.

Megjithatë, në përgjithësi, efektet mendore të bllokimit nuk vonuan shumë të shfaqeshin: Njerëzit raportuan se ndiheshin më të trazuar, më të stresuar, më të shqetësuar dhe më të pagjumë. Studimet e konfirmuan këtë. Raporti i përpiluar nga Urdhri i Psikologëve Shqiptarë, për periudhën 23 mars – 10 maj 2020, tregon se janë marrë në total 756 telefonata në rreth 50 ditë shërbim psikologjik online pa pagesë.

“Në dy ditët e para të shërbimit, kemi pasur një fluks më të lartë të telefonatave nga individë meshkuj, tendencë e cila u përmbys menjëherë pas ditëve të para. Në përfundim të shërbimit, pjesa më e madhe e personave që kërkuan asistencë ishin femra, 70% në total. Sikundër do të shohim edhe më poshtë në grafikun e moshës, pjesa më e madhe e qytetarëve që kërkuan ndihmë ishin nëna të reja. Kemi konstatuar se kjo kategori ka qenë ndër më të prekurat nga izolimi.

Në bazë të të dhënave konstatohet se ato kanë menaxhuar njëherësh: mësimet online të fëmijëve, mirëmbajtjen e shtëpisë, kujdesin ndaj familjes në tërësi, si dhe ngarkesat që kanë ardhur si pasojë e shkëputjes nga aktiviteti i punës së përditshme apo mungesa e kohës për veten. Përpos këtyre angazhimeve dhe problematikave të përditshme, shtohet edhe ngarkesa e ardhur specifikisht nga frika e COVID-19” – pohon kreu i Urdhrit të Psikologëve të Shqipërisë, znj. Valbona Treska.

Raporti tregon, sipas saj, se numri i ulët i telefonatave nga meshkujt mund të vijë, ndër të tjera, edhe si pasojë e mentalitetit dhe tendencës për të mbajtur për vete shqetësimet emocionale, gjë që rrit riskun e mosmarrjes në kohë të ndihmës për problematika të shëndetit mendor. Në këtë drejtim, gjinia femërore vlerësohet se e ka pasur më të lehtë aksesin te psikologu.

“Lidhur me moshën e individëve, të cilët raportojnë se kanë përjetuar më shumë ngarkesë emocionale në këta muaj karantine, kemi një përqindje që në total shkon deri në 74% për moshën deri në 35 vjeç, me përqindjen më të lartë të raportuar nga mosha 30-35 vjeç. Edhe pse mosha më e rrezikuar nga COVID-19 ka qenë mbi 60 vjeç, vëmë re një përqindje thuajse të pallogaritshme në total të qytetarëve të kësaj moshe që kanë kërkuar ndihmë. Një ndër faktorët që ne kemi analizuar për këtë përqindje të ulët të moshës mbi 50 vjeç që ka kërkuar ndihmë, është edhe mentaliteti jo i hapur ndaj profesionit të psikologut në tërësi, apo edhe i aksesit në rrjetet sociale e web, për të evidentuar listat e psikologëve” – thuhet në raport.

“Kemi pasur shtim të fluksit të konsultave të kërkuara nga adoleshentë. Mungesa e fashave të orareve për ta, për të dalë nga banesa, frika nga COVID, problematika të hasura me mësimin online, mungesa e kontakteve të drejtpërdrejta sociale të domosdoshme për një adoleshent, të cilat u janë mbivendosur problematikave të moshës, kanë rezultuar me një përqindje të lartë të nevojës për konsulta me psikologun. Ky rezultat, vlerësojmë se është një kambanë alarmi dhe se i duhet kushtuar veçanërisht vëmendje kësaj grupmoshe me politika sociale dhe aktivitete me fokus mirëqenien e tyre psikologjike” – thotë znj. Treska.

Sipas raportit, tre qarqet me numrin më të lartë të kërkesave për këshillim psikologjik gjatë kësaj periudhe janë: Lezha me 23.7%, Tirana me 22.1% dhe Durrësi, me 19.4%. Kjo e dhënë, sipas tyre, vërteton faktin se popullata që ka përjetuar tërmetin e 26 nëntorit, është shumë më e rrezikuar për problematika të shëndetit mendor. Trauma e Covid-19 i mbivendoset traumës së patrajtuar të shkaktuar nga tërmeti.

Lidhur me problematikat, raporti tregon se, ka pasur një përqindje shumë të lartë të konsultave, të cilat janë bërë specifikisht për probleme me ankthin, të shoqëruara, rast pas rasti, edhe me atak paniku.

“Pjesa më e madhe e telefonuesve e ka lidhur ankthin e gjeneruar nga situata e pandemisë, me atë të gjeneruar nga tërmeti i 26 nëntorit. Ankthi ka qenë problematika dërrmuese e referuar dhe e konsultuar nga psikologët. Edhe në studimet e mëparshme të bëra mbi efektet e karantinimit në vende të tjera të botës, si në Kinë apo Kanada në vitin 2003 për shkak të SARS, apo në disa fshatra të Afrikës në vitin 2014 për shkak të shpërthimit të Ebolës, ankthi, ngarkesa emocionale apo çrregullime të gjumit te popullata, kanë qenë ndër problematikat më të referuara. Në këto kushte, të dhënat që janë gjeneruar për Shqipërinë, krahasuar edhe me të dhënat e përftuara nga të tjera studime të mëparshme në popullata më të kufizuara, ishin të pritshme” – thuhet në raport.

Ajo që vihet re në raport, është një referim i shpeshtë i problematikave bashkëshortore, të cilat shkojnë në nivelin 8% të totalit të telefonatave.

“Ne vlerësojmë se karantinimi ka përkeqësuar dhe nxjerrë më shumë në pah konflikte mes bashkëshortëve te familje, në të cilat kontradiktat kanë qenë të pranishme prej kohësh. Në familjet përgjithësisht të shëndetshme përpara CIVID-19, kjo problematikë nuk është hasur në nivele të larta” – thuhet në raport.

ISHP: Prevalenca e problemeve mendore po rritet

Depresioni është një problem shëndetësor shumë i shpeshtë në popullatë. Vlerësohet se rreth 1 në 4 persona vuajnë nga depresioni të paktën një herë në jetë. Për fat të keq, ky problem nuk trajtohet si sëmundjet e tjera por rrethohet nga stigma. Për një kohë të gjatë, depresioni në vendet komuniste është konsideruar gabimisht si shenjë e dobësisë së karakterit. Gjithmonë e më shumë vërehet se depresioni rrit rrezikun për sëmundje të tjera të rëndësishme, si sëmundjet kardiovaskulare.

Në Shqipëri, përhapja e depresionit në popullatë është shumë më e madhe sesa mund të vlerësohej nga rastet e diagnostikuara në shërbimet shëndetësore. Kështu, Studimi Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri (ADHS) i vitit 2009 nuk identifikonte më shumë se 2% të popullatës 15-49 vjeç, si persona të cilët një mjek i kishte diagnostikuar me depresion. Në të vërtetë, prevalenca e problemit në popullatë është shumë herë më e madhe dhe shumica dërrmuese e individëve, të rinj apo të moshuar, vuajnë më gjatë dhe më rëndë nga çfarë do të ndodhte nëse do të flisnin për të dhe do të merrnin trajtimin apo mbështetjen e duhur.

Ka dy studime të Institutit të Shëndetit Publik, që kanë mundur të masin përmasat e depresionit vitet e fundit në Tiranë, bazuar në metodologji të krahasueshme. Një studim me ndjekje 2012-2016 te një kampion (kohorte) të moshuarish dhe një studim transversal te një kampion të rinjsh të shkollave të mesme i vitit 2013.

Nga kohorti prej rreth 400 të moshuarish, të ndjekur gjatë 5 viteve lidhur me shenjat e depresionit, vërehet se pavarësisht një rënieje në vite, ai ngelet shumë i lartë krahasuar me popullata të tjera në vende të zhvilluara, por në disa raste mbetet më i lartë edhe në vende me zhvillim të ngjashëm ekonomik. Në vitin 2016, 1 në 4 të moshuar kishte probleme me depresionin. Femrat gjithmonë janë në rrezik më të lartë për të vuajtur nga depresioni.

Faktorë rreziku socialë për depresionin mes të moshuarve në Tiranë rezultojnë arsimi më i ulët dhe pamjaftueshmëria e të ardhurave, ndërsa mes faktorëve biologjikë më të rëndësishmit janë prania e më shumë se dy sëmundjeve kronike. Rrjetet e dobëta sociale dhe familjare rrisin gjithashtu rrezikun.

Studimi dëshmon një proporcion shumë të ulët (më pak se 5%) të angazhimit të të moshuarve në jetën sociale (përfshirje në shoqata, klube e organizata të tjera me natyra të ndryshme).

Një studim i vitit 2013, që përdorte metodologji të ngjashme tek të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës (14-18 vjeç), tregonte se rreth 1 në 3 prej tyre paraqisnin shenja të depresionit. Sërish rreziku është shumë i lartë mes femrave. Studimi tregoi se të rinjtë kanë ende shumë vështirësi për të komunikuar me profesionistët për çështje të lidhura me depresionin.

Kostot ekonomike

Sëmundjet mendore kanë edhe një kosto të lartë ekonomike, si pasojë direkte e mungesave në punë, rënies së produktivitetit, si dhe kostoja financiare e trajtimit të këtyre sëmundjeve.

Mjekët shpjegojnë se emigracioni është treguesi më i qartë se vendi është duke kaluar një situatë jo të mirë psikologjike. Doktoresha Rreli thotë se faktori ekonomik, përveç predispozitës biologjike, është ndër më kryesorët që krijon depresion. Ajo shton se sëmundjet e shëndetit mendor kanë kosto të shumëfishta në jetën ekonomike dhe sociale të një vendi. Një shoqëri që ka stres të shtuar dhe depresion, më e pakta që mund të ndodhë është mungesa e eficencës, medikamentet që trajtojnë shëndetin mendor kushtojnë, pavarësisht se sipas mjekes, një pjesë e tyre janë në listën e barnave të rimbursueshme.

Në një raport të fundit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar se këto sëmundje bëhen shkak për vdekje më të hershme, shumica e të cilave janë vetëvrasje, ose në raste fatkeqe, për invaliditet nga tentativa të dështuara për vetëvrasje. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, vitin e shkuar, numri i vetëvrasjeve ishte 156, 3-fish më i lartë se sa i vrasjeve, ndërsa tentativat për heqje jete ishin 129, më të lartat e viteve të fundit të raportuara.

Sipas një studimi në SHBA vitin e shkuar, kostoja ekonomike nga sëmundjet mendore kapin shifrën 1 trilion dollarë. Sipas studimit, 40% e kësaj shume është kosto e drejtpërdrejtë që lidhet me depresionin, por shumica janë të lidhura me shëndetin mendor, si ankthi dhe stresi post-traumatik, si dhe për shkak të sëmundjeve të tjera apo çrregullime të gjumit dhe migrenës. Studimi ka gjetur se për çdo dollar të shpenzuar për trajtimin e depresionit, një shtesë 4.7 dollarësh ka shkuar në shërbime direkte apo indirekte, që lidhen me sëmundjen, 1.9 dollarë të tjera janë humbje që vjen si rezultat i kombinimit të faktorëve që lidhen me produktivitetin në punë dhe vetëvrasjet, që lidhen direkt me depresionin.

Në rritje të ndjeshme konsumi i qetësuesve

Mjekët psikiatër pohojnë se medikamentet në fushën e shëndetit mendor janë gjithnjë të fundit që përshkruhen nga mjeku. Sipas Arjana Rrelit, me zhvillimin e mjekësisë, medikamentet janë më efikase, si dhe me efekte të pakta ose aspak anësore. Megjithatë, sipas saj, në fillim të gjendjes jo të mirë si përjetimi i stresit, ankthit dhe pastaj depresioni, ka të tjera rekomandime profesionale, si një jetë sociale, ushtrimi i sporteve, prania sa më e gjatë në natyrë, mjekime alternative etj. Viti i pandemisë, sipas saj, e bëri më të vështirë ushtrimin e këtyre aktiviteteve, duke çuar direkt në përshkrime medikamentesh.

Pohimi mbështetet edhe nga të dhënat e marra nga Drejtoria e Doganave, sipas të cilave është rritur importi i medikamenteve sedativë.

Për zërin, Alprazolam, i cili shitet me emrin tregtar Xanax, të dhënat tregojnë rritje 65.52% të importeve në vlerë për vitin 2020, në krahasim me një vit më parë. Trendi rritës vihet re në tre vitet e fundit. Gjithashtu, sipas një vëzhgimi të “Monitor” në disa farmaci në Tiranë, është rritur konsumi i antidepresivëve. Ndryshe nga vite më parë, pohojnë farmacistët, medikamentet jepen vetëm me recetë dhe vihet re një rritje e numrit të të rinjve rreth 30 vjeç që kërkojnë mjekime, pas ndihmës së marrë nga mjekët e fushës.

Depresioni dhe produktiviteti

Depresioni dhe çrregullimet e ankthit janë problemet më të zakonshme të shëndetit mendor, të cilat ndikojnë në mundësinë e secilit për të punuar, dhe vlerësohet se ulin 5 herë produktivitetin në punë. Në rang global, më shumë se 300 milionë njerëz vuajnë nga depresioni, një shkak që i çon në paaftësi.

Më shumë se 260 milionë jetojnë me çrregullime të ankthit. Shumë prej tyre jetojnë me të dyja problemet. Në Europë vlerësohet se kosto vjetore e depresionit në raport me vendin e punës është 617 miliardë euro në vit, të cilat llogaritin mungesat, rënien e prodhimtarisë, koston e kujdesit shëndetësor dhe koston e kujdesit shoqëror (në formën e përfitimeve për shkak të paaftësisë). Lidhja ndërmjet stresit në vendin e punës dhe problemeve në shëndetin mendor është e mirëstabilizuar.

Nga studimet e ILO-s (Organizata Ndërkombëtare e Punës) rezulton se stresi i lidhur me punën ka një kosto të madhe në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë. Në shumë vende, si pasojë e krizës ekonomike, shumë sipërmarrës reduktojnë aktivitetin në mënyrë që t’i mbijetojnë konkurrencës. Kjo përfshin shtim të ristrukturimit, largim të punonjësve, papunësi, varfëri dhe përjashtim social. Këto praktika në punë njihen edhe si “rreziqe psiko-sociale”.

Në vendin e punës, ato shkaktojnë rritjen e konkurrencës, pritshmëri më të larta të performancës, punë më intensive, orë më të gjata dhe të parregullta në punë, kërkesa më të larta të lidhura me punën, pasiguri në punë dhe zvogëlim të mundësive të punësimit. Duke shtuar në disa raste frikën e humbjes së punës, rënien e motivimit në staf, rënien e kreativitetit dhe stabilitetit financiar, të gjitha këto mund të rezultojnë me pasoja serioze për shëndetin mendor dhe mirëqenien e punonjësve.

Sociologu Gëzim Tushi, pohon për “Monitor” se kriza që solli pandemia bëri që njerëzit e goditur prej saj ekonomikisht, duke humbur vendin e punës apo biznesin përkatës, t’i kthenin sytë nga shteti, roli dhe përgjegjësitë e tij, si aktor që duhet të menaxhonte këtë krizë të rëndë të pandemisë, dhe njëkohësisht të ndihmonte me skema të mbështetjes sociale qytetarët e papunë dhe biznesin për të jetuar apo për të mbijetuar në kushtet e pandemisë.

“Në sistemin e ‘virtyteve’ të pandemisë, krahas fatkeqësive që solli, janë shumë ndryshime, përmbysje të lidhjeve tradicionale, marrëdhënieve formale të njeriut me punën. Kudo në botë po ndodhin ndryshime të mëdha të këtij raporti. Kemi hyrë në epokën pa kthim të ‘riformimit’ të stilit tradicional të punës urbane, duke sjellë forma të larmishme të punës në distancë, të cilën shumica e të punësuarve e konsiderojnë mjaft komode, tejet efikase. Sociologët mendojnë se puna në distancë ose telepuna, do të jetë një ndryshim universal që do të prekë punën e ‘jakave të bardha’ (politikanë, nëpunës, specialistë, mësues, pedagogë, mjekë, etj.) por edhe profesionet e ‘jakave blu’ (punëtorëve)” – pohon z. Tushi.

Ai pohon se, situata ka pasur ndikim më të drejtpërdrejtë mbi gratë, barazinë gjinore dhe marrëdhëniet me “botën” e tyre të punës.

“Ndryshimet që po ndodhin në raportet gjinore brenda familjes dhe në tregun e punës, janë faktorë që mund të shfrytëzohen për të përmirësuar kuotat e barazisë dhe integrimit të grave në punë dhe shoqëri. Nëse ndryshojnë dhe përmirësohen raportet e gruas me familjen dhe shtëpinë, nëse pozita e saj do të demokratizohet më tej, atëherë progresi i tyre do të jetë më i shpejtë. Sepse sikurse shkruan Jean-Nikolas-Reyit, profesor i Sjelljes Organizative, “një nga arsyet që gratë e kanë të vështirë të përparojnë profesionalisht, është se kanë më shumë gjasa se sa burrat t’i japin përparësi përgjegjësisë familjare mbi karrierën” – përfundon sociologu Tushi.

Pandemia, bota e punës dhe mendja

Sikurse dihet, pandemia pati ndikim të thellë, të menjëhershëm edhe në problemet që lidhen me “botën e punës” dhe ndikimet e dukshme, të forta të saj në tregun e punës. Po ndodhin ndryshime thelbësore të cilat, sikurse thonë sociologët e punës, ndodhën “brenda natës”. Për herë të parë në të gjithë globin u shfaqën disa dukuri që me sa duket do të jenë një “konstante për një kohë të gjata” me ndikim universal në tregun global të punës.

Ajo do të jetë ndryshe, megjithëse ende nuk dihet deri në fund, se si do jenë “gjërat e punës”, sidomos marrëdhëniet e njeriut me të, qoftë si punëdhënës apo punëmarrës. Janë fillimet e një procesi të gjerë të diktuar nga pandemia, që po përcakton procesin e kalimit, nga “puna e përqendruar” në zyra dhe objekte standarde të prodhimit klasik, në “punën e shpërndarë”, jashtë “objekteve klasike” të punës, në shtëpi apo mjedise alternative. Pandemia për një kohë fare të shkurtër u bë faktor që solli një përmbysje të madhe konceptuale për punën, dhe solli një “revolucion” në marrëdhëniet e njeriut me të, qoftë si punëmarrës apo punëdhënës, duke prekur konceptin e “ortodoksisë institucionale” të organizimit të saj, duke e çliruar kulturën e punës “nga zakonet e këqija dhe proceset joefikase, nga takimet joefektive dhe burokracia e panevojshme”.

Mundësia që solli pandemia në këtë fushë, është se u dha shtysë ndryshimeve thelbësore, duke u bërë faktor social, që gjërat që kanë të bëjnë me punën dhe tregun e punës të “lëvizin më shpejt” në drejtimin e duhur. Këto nuk janë ndryshime të thjeshta lineare, por shumë të rëndësishme dhe të shoqëruara me ankth, pasiguri si dhe gjendje të zgjatura depresive. Sepse kemi të bëjmë me një proces gjithëpërfshirës të ndryshimit të shpejtë të koncepteve dhe praktikave të punës, që është një operacion masiv që ka prekur të gjithë sektorët publikë e privatë, të biznesit, arsimit, shëndetësisë dhe sektorit gjigant të shërbimeve.

Studiues të tregut të punës dhe sociologët e punës vlerësojnë shfaqjen e disa dukurive të reja pas shfaqjes së pandemisë, të cilat nëse menaxhohen mirë, krijojnë kushte e mundësi që njerëzit të mendojnë për “zgjidhje të reja se ku duan të jetojnë dhe krijojnë pritshmëri të reja në lidhje me fleksibilitetin e punës dhe ekuilibrin e jetës”.

Natyrisht ky revolucion, i shkaktuar në mënyrë të shpejtë, të paparashikuar në tregun e punës, ka shkaktuar debate e diskutime të larmishme, qoftë për fleksibilitetin, por dhe efektivitetin e punës. Megjithatë, agjenci të rëndësishme dhe anketime sociologjike, kanë treguar se vetëm 12% e të anketuarve kanë dashur t’u rikthehen punës me kohë të plotë në “zyrat dhe vendet klasike” të punës, ku 72% e të anketuarve duan “modelin hibrid” të punës edhe në zyrë, por dhe në distancë prej saj.

Por ky “revolucion” në tregun e punës do të shoqërohet me pasoja jo të vogla për pjesën tjetër të të punësuarve, që mendohet se mund të jetë mbi 60% e të punësuarve aktualë, që rrezikojnë të humbasin vendet e punës, për shkak se zgjerimi i punës në shtëpi dhe në distancë, do të çojë në eliminimin e disa lloje punësh e shërbimesh që ofrohen nga punëtorë, që punojnë në shërbimet qytetëse dhe me pagë të ulët. Kjo është një situatë materiale që ka koston në shfaqjen e depresionit individual e social. Për këtë duhen marrë masa në kohë, për të parandaluar efektet shkatërruese depresive të kësaj dukurie që erdhi nga pandemia.

Është koha për t’i kushtuar kujdes të madh e vëmendje problemeve që solli pandemia me punën dhe tregun e saj. Ne jemi të ndërgjegjshëm për tronditjen ekonomike që ajo shkaktoi në vendin tonë. Ajo u bë shkak, që mijëra vetë kanë humbur vendet e punës. Tani ata janë duke pyetur veten, në pritje se çfarë mund të bëjnë me punët apo ekonominë e tyre. Nëse shumë gjëra në këtë fushë para pandemisë nuk kanë shkuar mirë, tani duket qartë se pandemia i ka përkeqësuar “problemet e punës”.

“Ajo që njihet si psikiatria e krizës në Shtetet e Bashkuara, tregon që çdo krizë e madhe globale, qoftë kriza financiare e vitit 2008, apo pandemitë e mëparshme, kanë ndikuar që frekuenca e sëmundjeve neuropsikiatrike të rritet proporcionalisht me krizën”.

Shenja të depresionit në vendin e punës

  • Kur një person është në depresion, nuk mund t’i kushtojnë rëndësi sigurisë së tyre, madje shpesh e kërkojnë vetë rrezikun.
  • Një person në depresion mund të kalojë nëpër një shumëllojshmëri gjendjesh emotive, të tilla si nervozizëm, zemërim dhe trishtim. Ata mund të bëhen jo bashkëpunues ose të zymtë.
  • Punonjësit mund të shprehin pakënaqësi me veten, jetën e tyre në shtëpi, ose punën. Depresioni mund të bëjë një person të ndihet i lodhur vazhdimisht. Nëse i kushtohet vëmendje, do të dëgjohen shpesh deklarata se sa të lodhur ata ndihen.
  • Mungesat në vendim e punës mund të nisin të bëhen më të shpeshta. Për shkak se të pranuarit e një gjendjeje depresive si shkaktar të mungesave, nuk është shoqërisht e pranueshme, punonjësit mund shpesh të telefonojnë në punë me justifikime se janë të sëmurë me ftohje apo grip.
  • Shumë e zakonshme për personat që vuajnë me depresion është vetëmjekimi, problemet adresohen edhe në përdorimin e tepërt të drogës dhe alkoolit.

Shëndeti mendor dhe lidhja e tij me sëmundjet e tjera

Gjatë trajtimit apo menaxhimit të disa sëmundjeve kronike të tilla si ato kardiovaskulare, sindroma metabolike dhe sidomos kanceri, është normale që të përjetohen probleme të ndryshme të shëndetit mendor. Në mënyrë të ngjashme, individët që jetojnë me HIV/AIDS ose sëmundje të tjera infektive si Hepatiti B dhe/ose C, Tuberkulozi dhe sëmundje të tjera të transmetueshme, përjetojnë një gamë të gjerë të çrregullimeve të shëndetit mendor. Në të vërtetë, është demonstruar bindshëm se individët e prekur nga sëmundje të ndryshme (kronike apo akute) mund të përballen me kufizime të reja në kryerjen e aktiviteteve të zakonshme, të cilat çojnë në nivele të larta ankthi dhe më pas në depresion.

Në fakt, në rrethana të tilla, zakonisht është e vështirë të përshtatesh me një realitet të ri dhe të ballafaqohesh me ndryshimet në jetën e përditshme. Në të gjitha rastet, shëndeti mendor dhe shëndeti fizik janë të lidhura ngushtësisht. Individët që jetojnë me kufizime fizike të shëndetit përjetojnë gati dy herë më shumë depresion dhe ankth krahasuar me popullatën e përgjithshme.

Nga ana tjetër, individët që jetojnë me një sëmundje të rëndë mendore janë në rrezik më të madh për të përjetuar një gamë të gjerë të kufizimeve fizike. Ky sesion do të trajtojë edhe sfidat e shëndetit mendor që lidhen me fatkeqësitë dhe emergjencat, të cilat, qofshin natyrore apo të krijuara nga njeriu, prekin jetën e popullatës së përgjithshme, komuniteteve të rrezikuara, nëpërmjet një zinxhiri sekuencash katastrofike që ndikojnë në zhvillimet sociale dhe ekonomike.

Për të hartuar, për të organizuar dhe për të zbatuar shërbime të trajtimit të krizës pas fatkeqësive, duhet të krijohet një sistem i integruar, ndërveprues i strukturave të shëndetit mendor dhe agjencive dhe institucioneve të menaxhimit të emergjencave. Mbetet sfidë serioze identifikimi i nevojave te grupet e individëve të prekur, në bazë të së cilës shërbimet dhe nivelet e kujdesit shëndetësor duhet të ndërtohen dhe të përshtaten në përputhje me rrethanat. Në të gjitha rastet, problemet e shëndetit mendor dhe sfidat e hasura gjatë krizave të shëndetit publik janë një shqetësim i veçantë dhe paraqesin një barrë të madhe për individët e prekur dhe të gjithë shoqërinë.

Burimi: ISHP

Statistika kombëtare dhe ndërkombëtare

  • Depresioni njihet si shkaku kryesor i paaftësisë në të gjithë botën (OBSH, 2012)
  • Vetëvrasja renditet shkaku i dytë i vdekjeve në botë dhe në Europë për grupmoshën 15-29 vjeç (OBSH, 2016)
  • Rreth 15.3% e nxënësve të klasave të 9-ta dhe të 10-ta kanë provuar minimalisht një lloj droge të paligjshme të paktën një herë gjatë gjithë jetës (përfshirë marijuanën, sedativët pa recetë mjekësore, alkoolin të kombinuar me pilula dhe medikamentet kundër dhimbjes).
  • Kokaina është droga e dytë më prevalente e përdorur nga nxënësit e klasave të 9-ta dhe të 10-ta në vitin 2015 (3.7%), ndërsa në vitin 2011, vendin e dytë e zinte ecstasy (1.6%).
  • Krahasuar me vitin 2011, në vitin 2015 janë rritur përqindjet e nxënësve që mendojnë se mund të sigurojnë lehtë apo shumë lehtë amfetamina, sedativë pa recetë dhe ecstasy./Monitor.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll