Eduard (Eduart) Haxhiu, i dënuar me 7.4 vite burg nga Gjykata e Posaçme, është arrestuar nga Forca Operacionale në Tiranë. Gjatë periudhës 2019-2022, ky shtetas ka ndihmuar emigrantë shqiptarë që të kalonin në Angli dhe në Amerikë, me pasaporta të falsifikuara.
54 vjeçari është pjesë e një grupi të madh personash që ushtronin këtë veprimtari të paligjshme dhe u godit nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me autoritetet amerikane të sigurisë.
Njoftimi i plotë i Policisë së Tiranës:
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Lokalizimi”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit:
– Eduard (Eduart) Haxhiu, 54 vjeç, banues në Tiranë.
54-vjeçari është dënuar me 7 vjet e 4 muaj burgim, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë periudhës 2019-2022, ky shtetas ka ndihmuar emigrantë shqiptarë që të kalonin në Angli dhe në Amerikë, me pasaporta të falsifikuara. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.