Partizani dhe Vllaznia kanë luajtur ditën e sotme sfidat e para të raundit të parë në Conference League, kompeticionin më të ri të UEFA-s.
Kryeqytetasit kanë shkëlqyer ndaj moldavëve të Sf. Gheorghe duke fituar me rezultatin 5-2 dhe duke hedhur një hap të sigurt drejt turit tjetër. Stenio Junior ishte lojtari i ndeshjes me 2 gola dhe 3 asist, ndërsa golat e tjerë u shënuan nga Cara dhe Lucas Cardoso, i cili shënoi dy herë.
Tashmë Partizani do të ketë edhe ndeshjen e kthimit pas një jave në Moldavi, ndërkohë që nëse kualifikohet, në raundin tjetër i pret një kundëërshtar shumë i vështirë, Baseli.
Në ndeshjen tjetër, Vllaznia është mposhtur me rezultatin 3-1 në Bosnje e Hercegovinë nga Siroki Brijeg. Shkodranët nuk kanë zhvilluar një ndeshje të mirë, por ishte arbitri që vendosi fatet e ndeshjes me 2 penallti shumë të diskutuara të dhëna për vendasit.
Shkodranët ishin në disavantazh të 3 golave, por “rrjeta” e Çobës në munutën e fundit u jep shpresë për një përmbysje rezultati në ndeshjen e kthimit që do të luhet javën e ardhshme në “Loro Boriçi”.