Studiuesja Ledi Shamku tregoi në një intervistë për Euronews Albania se më 31 tetor besohej nga antikët se kishte një “dorëzim pushtetesh” mes dritës dhe errësirës.
Në këto kushte, 31 tetori ngelte pa një zot drite apo nate që të qeveriste shpirtrat.
“Në këtë natë shpirtrat e vdekur ishin të lirë të dilnin që andej pikërisht për mungesë mbreti,” – u shpreh Shamku.
Ajo sqaroi se popuj të ndryshëm kremtojnë të vdekurit, ose ‘të shumtit’ siç i quajmë, në kohë të ndryshme, vetëm sepse kanë një qasje ndryshe ndaj ditës dhe natës. Tashmë emri përgjithësues për këtë festë është Halloween, por në vende të ndryshme kjo festa ka forma të ndryshme të festimit.
Shamku tregoi se në malësitë tona katolike kjo festë është e vjetër dhe ka një mënyrë unike kremtimi. Tryeza e 31 tetorit në darkë lihet e shtruar dhe në parvazet e dritareve ndizen qirinj, sepse besohet se shpirtrat atë natë gjejnë rrugën për në shtëpi përmes dritës dhe çmallen me banesën e njerëzit që kanë lënë pas.
“Ndryshimi qëndron se këta shpirtra nuk vijnë për kaos, por këta vijnë me leje të Krishtit sepse Krishti u jep leje të ngjallen një herë në vit, të kremtojnë e të gjejnë të dashurit e tyre. E njëjta situatë ndodh në gjithë trojet arbërore në jug të Italisë” – tregoi studiuesja.
Ajo tha se pjesa e traditave është pikërisht pjesa më e integruar e kulturës shqiptare.