Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

Çfarë po ndodh në Kosovë? Situata pas arrestimeve, Prokuroria e Posaçme kryen operacione të tjera

Shkruar nga Newsbomb

Prokuroria e Posaçme që trajton pretendimet për krime lufte në Kosovë, të premten tha se është duke kryer operacione në Kosovë, por pa dhënë më shumë hollësi rreth tyre.

Pjesëtarë të saj të mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe policia e Kosovës janë parë gjatë ditës duke bastisur shtëpinë e ish presidentit, Hashim Thaçi, i cili tashmë ndodhet në qendrën e paraburgimit të Gjykatës së Posaçme në Hagë.

Zoti Thaçi dha dorëheqje të mërkurën nga posti presidentit për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë së Posaçme e cila e ngarkon atë dhe Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në aktakuzën prej 68 faqesh thuhet se "së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes".

Sipas aktakuzës krimet janë kryer në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në veri të Shqipërisë nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

 

Zoti Thaçi dhe zoti Krasniqi, pritet të dalin para gjykatës të hënën me 9 nëntor.

Arrestimet e drejtuesve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare nxitën reagime të shumta në Kosovë.

Kryeministri Avdullah Hoti, tha se këto zhvillime “e kanë vënë edhe njëherë shtetin e Kosovës në sprovë”, ndërsa vlerësoi siç tha sjelljen e përgjegjshme të të akuzuarve, gjë që sipas tij dëshmon se Kosova i beson drejtësisë dhe bashkëpunon me drejtësinë pa asnjë mëdyshje. Ai shprehu bindjen se përmbyllja këtij procesi do të ri-dëshmojë se lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e pastër.

 Përgjatë mbledhjes së qeverisë pati përplasje rreth veprimeve në situatën e re të krijuar në vend. Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kërkoi që procesi i bisedimeve Kosovë – Serbi të pezullohet, pas zhvillimeve të fundit.

“Natyrisht qeveria e Kosovës është për vendosjen e drejtësisë dhe i ka detyrimet e veta ndërkombëtare edhe ndaj dhomave të specializuara, por se gjykata duhet të sqarohet nëse ajo është një gjykatë e Kosovës që nuk operon me prova të konstruktuara nga eksponentët e forcave serbe të sigurisë”, tha zoti Selimi.

“Më lejoni të ju them qartë, drejtë, hapur se në qeverinë e Kosovës nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe. Bazën ligjore e kemi të qartë se si të sillemi në këtë situatë për të ndihmuar ligjërisht personat që janë të përfshirë në këtë situatë. Kushtetua është e qartë se si procedohet më tutje, puna e qeverisë dhe secili prej jush duhet të vazhdoj me kapacitet të plotë dhe intensitet të shtuar për shkak të seriozitetit të situatës”, tha kryeministri Hoti.

Organizatat e dala nga lufta thanë se e konsiderojnë çdo veprim të Gjykatës së Posaçme si të kundërligjshëm dhe kundërkushtetues, ndërsa paralajmëruan se do të punojnë me deputetët e parlamentit që të kërkojnë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese rreth mandatit të gjykatës që sipas tyre tashmë ka skaduar.

Shefat e misioneve të Bashkimit Evropian në Kosovë thanë të mërkurën në një deklaratë të përbashkët se të akuzuarit nga Gjykata e Posaçme treguan vendosmërinë e Kosovës “për të respektuar sundimin e ligjit dhe për të kërkuar llogari nga individët të cilët mund të kenë kryer veprime të paligjshme”.

"Për Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare, respektimi i sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut është përparësia më e rëndësishme", thuhet në këtë njoftim duke nënvizuar se “mbështetja e Gjykatës së Posaçme është thelbësore për konsolidimin e perspektivës evropiane të Kosovës”.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar, ndërsa ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Ngritja e kësaj gjykate si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s./VOA

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll