Kryeministri i Holandës Mark Rutte, vizitoi dje Tiranën dhe bashkë me homologun shqiptar Edi Rama u angazhuan për të intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar, shkruan newsbomb.al. Rutte pranoi nga kryeqyteti shqiptar se vendi ynë ka bërë “përparim të dukshëm” në rrugën drejt BE, ndaj në dhjetor duhet të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare.
Mirëpo, një ditë pasi Rutte dhe Rama vlerësuan punën e njëri-tjetrit dhe bashkëpunimin mes dy vendeve respektive, mediat në Holandë janë mbushur me lajme për shqiptarët. Faqet kryesore të mediave holandeze kanë trajtuar këtë të enjte përpjekjet e shqiptarëve për të shkuar drejt Anglisë, me kamion nga Holanda.
Ndoshta diçka nuk ka shkuar mirë në pritjen që Rama i bëri homologut Mark Rutte!!!
- Gazeta “Algemeen Dagblad” me seli në Roterdam dhe themeluar që prej vitit 1946, tashmë botohet dhe si tabloid, shkruan një lajm për tre shqiptarë që kanë tentuar të shkojnë drejt Anglisë me kamion, nga Holanda.
Sipas kësaj medieje, tre shqiptarët u përpoqën të mashtronin qenin nuhatës duke u lyer me naftë, por qeni ishte ende në gjendje t’i gjurmonte, shkruan newsbomb.al.
Në rimorkio kishte një erë të fortë nafte dhe burrat u gjetën rreth orës 17:00, të mërkurën. Sipas një zëdhënësi të Marechaussee (Policia lokale) të Mbretërisë së Holandës, aroma ishte aq e fortë sa një nga shqiptarët ishte sëmurë. Po ashtu, dhe një nga inspektorët kishte probleme me frymëmarrjen. Një ambulancë mbërriti për t’i kontrolluar, por të dy nuk kishin probleme serioze shëndetësore. Shqiptarët janë vendosur në paraburgimin e emigracionit.
Javët e fundit, numri i shtetasve të huaj që Policia gjen në Europoort dhe Hoek van Holland është rritur. Kjo është shqetësuese, thotë zëdhënësi i Policisë. “Në ditët e ardhshme, netët do të bëhen përsëri më të ftohta, gjë që sjell rreziqe.” Shumica e të huajve vijnë nga Shqipëria.
- Në një lajm tjetër, gazeta “Algemeen Dagblad” shkruan për rrezikun që u kanosej një grupi shqiptarësh që po ecnin në këmbë përgjatë autostradës A15 në Europoort. Ata janë parë nga shoferët dhe menjëherë është lajmëruar Policia.
Sipas medias holandeze, shoferët njoftuan për një grup deri në njëzet burra me çanta shpine që ecnin në ose përgjatë autostradës. Pas disa kërkimeve, ku u përdor edhe një dron, policia gjeti gjashtë shqiptarë pranë një karburanti përgjatë A15.
“Ne kemi ndjenjën se ata donin të bënin kalimin në Angli,” tha një zëdhënës i policisë. Policia e sheh këtë më shpesh, për shembull në vendet ku trenat ose kontejnerët nisen për në Mbretërinë e Bashkuar.
Megjithatë, të gjashtë shqiptarët i kanë shpëtuar ndalimit në paraburgimin e emigracionit pasi ndodheshin në Holandë brenda periudhës 90 ditore të lëvizjes së lirë (zona shengen).“Ata gjithashtu mund ta vërtetojnë këtë me letra dhe identifikim.”
Për shkak se burrat nuk bënin asgjë të ndaluar dhe po ecnin në tokë publike, ata nuk u arrestuan. Policia i çoi ata në Stacionin Qendror të Roterdamit, shkruan newsbomb.al.