Kreu i qeverisë, Edi Rama, njoftoi pasditen e kësaj të hëne formimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Drejtimi i këtij institucioni i është besuar ish-drejtorit tashmë të DPSHTRR, Blendi Gonxhja, emri i të cilit i është dërguar për dekretim presidentin Bajram Begaj.
Por, çfarë do të ndodhë me Ministrinë e Kulturës, të drejtuar nga Elva Margariti dhe me atë të Ekonomisë dhe Financave, në krye të së cilës prej disa muajsh është Ervin Mete?
Kryeministri Rama tha se në fazën e re të zhvillimit ku ka hyrë vendi, duhet një koordinim ndërsektorial, ku Kultura nuk mund të mbetet më një ministri e ndarë. Si rrjedhojë me këtë vendim të kreut të qeverisë vjen dhe shkrirja e Ministrisë së Kulturës. Sakaq, burime për mediat bëjnë me dije se ministrja Elva Margariti është liruar nga kjo detyrë, të cilën e ka mbajtur që prej vitit 2019.
LEXO EDHE: Ndryshime në kabinetin qeveritar, Blendi Gonxhja lë DPSHTRR dhe bëhet ministër
Ndërsa, sa i përket Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që drejtohet nga Ervin Mete, sektori i “Ekonomisë” do të hiqet, duke mbetur vetëm “Financa” e cila do të vijojë të drejtohet nga ministri.
Mete zëvëndësoi në postin e ministrit të Ekonomisë dhe Financave më shtator të vitit që lamë pas, 2023, Delina Ibrahimajn, e cila mori një tjetër post në qeverinë Rama, atë të ministrit për mbrojtjen e Sipërmarrjes, post që më herët e mbante Edona Bilali.
Gjithashtu, me këtë ndryshimin e fundit, Rama rikthen Inovacionin, sektori i cili gjatë mandatit 2013-2017 të qeverisë Rama ka qenë ministri më vete që drejtohej nga Milena Harito.
Në nëntor 2018 Blendi Gonxhja u emërua drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, duke zëvendësuar Arben Isaraj, i cili dha dorëheqjen. Deri në atë kohë Blendi Gonxhja mbante postin e Drejtorit të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës. Ndërsa tani do të mbajë postin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.