Kryeministri Edi Rama postoi një status nga rjeti social në Facebook ku ironizoi Presidentin Bujar Nishani i cili doli në shkallët e avionit për të pritur sekretarin Amerikan të Shtetit John Kerry.
“Presidenca më ka keqkuptuar!Thjesht isha e jam i keqardhur që Presidenti i Shqipërise i doli avionit përpara.Si e pse kjo s'ka pikë rëndësie”, shkroi para disa minutash Rama.
Po çfarë e bëri shefin e kabinetit të reagojë kështu?
Ishte kërkesa përmes një deklarate për shtyp nga Presidenca që i kërkonte të tërhiqte fyerjet në adresë të Bujar Nishanit.
“Institucioni i Presidentit të Republikës dënon ashpër deklaratën e papërgjegjshme të Kryeministrit Rama gjatë intervistës së tij në emisionin “Dritare” në televizionin ‘Vizion Plus’, më datë 15 shkurt 2016, në koment të takimit të Presidentit të Republikës me Sekretarin e Shtetit, John Kerry në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Kërkesa e Sekretarit Kerry e përcjellë përmes Ambasadës së SHBA-së në Tiranë për të takuar Presidentin e Republikës gjatë mbërritjes së tij në Shqipëri ishte një nder i veçantë dhe respekt ndaj Institucionit dhe vetë Presidentit Nishani.
I kërkojmë Kryeministrit të vendit të tërheqë menjëherë deklaratën fyese dhe spekulative ndaj Presidentit të Republikës dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, pasi një qëndrim i tillë nuk përfaqëson nderimin dhe mirënjohjen që shqiptarët anembanë botës kanë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan”, thuhet në deklaratën e Presidnencës.