Kryeministri Albin Kurti është takuar në Ohër me politikanin shqiptar Ali Ahmeti, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim. I pranishëm ka qenë dhe Bujar Osmani, ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe i vlerësuar si një ndër shefat më të mirë të diplomacisë ballkanase.
Ndërkohë, Kurti shoqërohej në këtë kafe të shkurtër nga zv/kryeministri Besnik Bislimi. Por se çfarë ata kanë biseduar në këtë takim, nuk dihet sepse asnjë nga dy liderët nuk është deklaruar në media.
Ali Ahmeti është ndër politikanët shqiptar më të njohur dhe më me ndikim në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkanin Perëndimor në tërësi. Takimi i tij me Kurtin është zhvilluar pak momente para tryezës që kryeministri i Kosovës do të ketë me Aleksandër Vuçiç.
Gjatë Luftës së vitit 2001 në Maqedoni ai ishte Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe kurdo ka dënuar luftën e Serbisë në Kosovë. Si një njohës i mirë i çështjeve të rajonit dhe politikës së Beogradit zyrtar, nuk përjashtohet mundësia që ai t’i ketë dhënë Kurtit këshilla për dialogun me Vuçiç.
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiç, takohen sot, më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndërmjetësues të takimit janë shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në cilësinë e vëzhguesit është i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në tryezë të diskutimeve gjendet aneksi i zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.