Kryeministri Rama i dha fund këmbënguljes së tij për të mos bërë ndryshime në kabinetin e tij qeveritar. Mbrëmë ai i ka komunikuar ministrit të Financave Shkëlqim Cani vendimin për shkarkimin e tij, ndonëse sipas një komunikate të shpërndarë paradite nga qeveria, lihet të kuptohet se gjithçka ka ndodhur sot.
Zëri i Amerikës shkruan se në momentin e njoftimit zyrtar të vendimit të shkarkimit, ministri Cani ka qenë në një takim pune me Bankën Botërore.
Zyra e kryeministrit nuk dha asnjë shpjegim për vendimin dhe motivet që e shtynë kreun e qeverisë për këtë lëvizje. Komunikata mjaftohet me pak rreshta përmes të cilave theksohet se zoti Rama e ka falenduar ministrin Cani “për angazhimin e profesionalizimin e tij ne kryerjen e njërës prej detyrave më të vështira qeverisëse të këtij mandati”.
Në vend të zotit Cani kryeminisri ka emëruar ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj, ndërsa në karrigen e këtij të fundit do të ulet zëvendësministrja e Shëndetësisë Milva Ekonomi.