Kryeministri David Cameron ka hedhur poshtë mundësinë e një referendumi të dytë sa i përket vendimit për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.
Duke folur në parlamentin britanik, Cameron u shpreh: “Vendimi duhet pranuar dhe procesi i implementimit në mënyrën më të mirë, duhet të fillojë”. Ai sqaroi se do të udhëtojë nesër drejt Brukselit, por nuk do të kërkojë menjëherë zbatimin e artikullit 50 për largimin nga BE.
Kryeministri britanik theksoi se vendi i tij nuk do t’i kthejë shpinën botës, ndërsa sa i përket racizmit gjithnjë e në rritje ndaj emigrantëve, Cameron tha se shoqëria britanike nuk do të pranojë dhunën dhe urrejtjen si pjesë të sajën.
Mbi tre million britanikë kanë firmosur një peticion ku i kërkohet parlamentit të konsiderojë zhvillimin e një referendumi të dytë për “Brexit”. Në referendumin e 23 qershorit 17,410,742 persona votuan për largimin nga BE, ndërsa 16,141,241 për qëndrimin në të.