Hapësire reklamuese

OpEd

Ç'FAJESIMI I TURPIT

Shkruar nga Newsbomb

Nga Mishel Koçiu

Sa turp o sa turp...!!! U felliqem ne syte e botes!

Te dashur te njohur e te panjohur qe jeni turperuar kaq shume sot nga protesta... Kam nje koncept disi te ndryshem per ngarkesen kuptimore te fjales turp. Sidomos kur kjo fjale i mvishet nje grupi te konsiderueshem njerezish ne te drejten e tyre per te protestuar. Varferia e skajshme; deshperimi pa fund; zhgenjimi nga premtimet dhe korrupsioni galopant; optimizmi zero i te rinjve per te ardhmen; shpresa e fikur se ky vend do behet ndonjehere; besimi i humbur tek shteti, institucionet e drejtesia; parlamenti i mbushur me analfabete, hajdute e njerez te perlyer me krime e afera; çoroditja masive e qytetareve te cilet me vote nuk zgjedhin por vetem konfirmojne lista te dyshimta te hartuara sipas interesash financiare klanore; betonizimi i qyteteve, parqeve e bregdetit; ikjet masive ilegale ne Perendim; vullnetaret ilegale tek ISIS; shetitja neper bote e kryeministrit si piktor ambulant; dekorimi i krimineleve dhe zbatuesve te zellshem te luftes se klasave; lejimi i importimit dhe shitjes ne mes te dites e sheshit te ushqimeve dhe ilaçeve te dyshimta; mizerabiliteti i shendetit publik; gjendja mjerane e universiteteve te shndruara ne kopshte pa dreke; amullia e doganave dhe financave publike; mediat e blera qe ushtojne trafik influence, pasurite disamilioneshe te zyrtareve e ish-zyrtareve, palaçolleqet e tregimeve me atentate e filmimet shantazhuese te politikaneve etj., etj...

KETO PO. Te gjitha bashke jane TURP. Nje turp i madh qe nuk llamburit ekraneve te lajmeve si zjarri i ndezur sot brenda nje bunkeri, "instalacion arti" i kontestuar nga shume njerez e grupe interesi. Turpet e mesiperme nuk xixellojne neper ekranet e lajmeve te Europes as sa flaket e mekura te djegies se plehrave lagjeve te humbura te kryeqytetit. Por keto turpe i ndjen ne kocke cdo shqiptar dhe i njeh cdo kancelari vendimmarrese ne boten e qyteteruar ku aspironim aq shume te benim pjese...

Edhe dhuna eshte turp. Madje edhe kur vjen nga deshperimi i dhjetra arsyeve akoma me te turpshme te renditura me lart. Por nuk mendoj se pershkallezimi i protestes se sotme degjeneroi ne akte te mirefillta dhune, perveç "rrahjes" se deshperuar te bunkerit te betonte qe s'i levizte qerpiku nga hekurishtet e ndryshkura. Aq me pak pati dhune per te rrembyer pushtetin.

Per shqiptaret qe kane jetuar nga afer '97-en (ku bej pjese dhe une) tingellon qesharake te lexojne percaktime te tipit "Permbysja e pushtetit me dhune" per protesten e sotme... Sic eshte qesharake dhe naivo-romantike deri ne bezdi thirrja: Te rrezojme qeverine!

Me sa di une opozita e sotme nuk ka ardh ndonjehere ne pushtet me dhune. E kunderta eshte e vertete. 1997-ta! Edhe opozitarit me optimist, nuk do ti shkonte as ne endrren me te ngazellyer mendja, se me protesten e sotme do permbysej qeveria. Eshte absurde! Atehere perse moto kryesore e protestes u perfol me dite te tera “Rrezimi i qeverise”.

Mua me duket qe ka diçka shume te rende qe nuk funkionon prane strategeve apo keshilltareve te aksionit politik prane opozites. Moto te tilla jane aq naive, dhe aq jo koherente me kontekstin ku hidhen per konsum. Kur pritet te perkujtohet nje dite e shenuar qe paqesisht rrezoi pushtetin me te dhunshem, nuk eshte me vend te perlyhet protesta kunder qeverise me moton apo aspiraten irrealiste: Te rrezojme qeverine! Edhe kete e quaj pamedyshje turp!

Eshte per te ardhur keq, por perkujtimi i 8 Dhjetoreve ne kete çerek shekulli, megjithe pergatitjet pompoze, zyrtare apo dhe ato ne kulisa per kapital politik, ne cdo vit ka qene disa here me poshte nga niveli, se sa sa ai i pari, 8 Dhjetori 1990. Narrativa politike sot, e ngarkuar me se shumti me metafora epike te mbartura nga Muji e Halili, nuk prekin me askend. Perkundrazi te peshtirosin se duken si konspekte mediokre mesuesish letersie te fillores me “shushunja gjakpirese, satrape, kryeministra ogurzinj..." e te tjera letrarizma latante e te mbingakuara qe tingellojne aq demode…

Marredheniet publike te nje partie duhet te konsideroheshin sektori me delikat sepse ato i paraprijne aksionit politik. Per fat te keq ata sektore funksionojne si ofiçina krejtesisht te amortizuara qe prodhojne hartime te dobeta e flete-rrufe si editorialet e dikurshme te ZP-se. Ato s’frymezojne askend, s’ngazellejne kerrkend, por vetem ushqejne emisione tip portokallie e mendje te semura qe, une dua ta besoj, jane pakice ne Shqiperi.

Turp ishte reagimi habitor i Kryeministrit ne rrjetet sociale. Sikur te ishte Princ Vidi qe e emeruan fuqite e medha dhe nuk e njeh popullin e tij. Trishtim dhe çudi kryeministrore, talent publicisti, perçmim armiqesor per kundershtarin, neveri “çuni tirone” per popullin e inatosur: ky ishte mesazhi kryeministrit te mbushur me keqardhje.

“Ç'shemti e trishtueshme” psheretin kryeministri i vendit pas protestes, ndersa shetit si kembesor bulevardin, duke soditur hedhurinat dhe mbetjet e "trazires", qe gjithsesi ishin me pak se ato te shkaktuara nga nje dite vere ballokumesh. Dhe shume here me pak se ato te kohes kur ishte kryebashkiak e ne shenje proteste shkarkonte plehrat e Tiranes ne bulevard. Dhe kur, ne nderrim turnesh me megafonet e hoxheve te minareve oshetinte bulevardi i bllokuar per muaj te tere: Te hapen kutite, te hapen kutite!

“Keqardhje te sinqerte per te verberit e shkrete qe s'dine se ç'bejne” ndjen kryeministri kur qindra te tille i ka ndersyer sa here i jane dashur, dhunshem, per jete a vdekje, kunder institucioneve e prones publike. Dhe kjo hipokrizi eshte turp me vete!

Turpi tjeter ishte gjoba e nxituar qe percellonte duart dhe faqet e rrjeteve sociale, per nga shpejtesia e daljes nga furra dhe zelli i publikimit. E paimagjinueshme ne ne nje vend perendimor. Me shpejtesine e eres, nje inspektor i rendomte bashkie beri vleresimin e demit ne gjithe Tiranen. Kaq pllaka, kaq kapake pusetash, kaq poça elektrike, kaq shurosesh publike... Kohezgjatja nga vleresimi i demit deri tek marrja e mases ndeshkimore, ne kohe rekord. Sikur te ishte nje shkelje e rendomte e qarkullimit rrugor! Edhe si kohe filmike do ishte teper e veshtire per tu sintetizuar nga nje regjisor... Te pakten ti kishte emertuar shurrosesit qe numeroi, qe neser ti binin gjoksit qe kane luftuar me shurre kunder qeverise. Do kishin dhe nje prove, gjoben, per te kerkuar strehim politik... TURP!

Por as kjo nuk del ne ekranet e huaja te lajmeve. Vetem flaka, tymi qe per fat sot nuk ishin te rendesishme dhe me pasoja. Jam kunder dhunes e flakes, dhe trishtohem pa fund kur zemerimi i turmes pershkallezohet. Trishtohem por nuk shkul floket nga turpi, se turma ndezi nje zjarr apo se policia hodhi shashka tymi. Nuk mendoj se greket vuajne me shume nga Shqiptaret, as qe jane me te paqyteteruar, ndersa gati cdo muaj e kane shperthyer ne flake e kaos te pashembullt zemerimin dhe deshperimin e tyre!

S'kemi pse bejme sikur... Ne qe jetojme jashte, kemi fatin e mire dhe te keq ta sodisim nga larg kete kaos. Fatin e mire sepse s'prekemi direkt. Fatin e keq kur ndonje koleg apo mik i huaj na pyet: More po ç'behet ashtu ne vendin tuaj? Fatin e mire sepse kemi mundesi te jemi me te kthjellet! Fatin e keq sepse mund te rrembehemi me shume nga dhuna e imazheve te propagandes... Fatin e keq sepse atje ne ate vend qe s'po behet kemi nje pjese te jetes sone. Ate me enderrimtaren. Ate qe na vodhen! Ne ate vend kemi njerezit tane qe s'po dalin dot nga qerthulli edhe pas nje çerek shekulli demokraci. Me dhemb ai vend dhe ata njerez! Per te huajt qe shohin lajme sinqerisht nuk me behet vone! Me kujtohet ajo "shsshtttt" e zgjatur e nenave tona: "Mos bej zhurme se na degjojne komshinjte"! Boll me hipokrizi. Ne nuk jemi me te mire se ç'na dijne komshinjte apo bota! Pra ju lutem, ç’turperohuni o te turperuar!

Sondazh

Poll