Nga Ola Xama
Asnjë lehtësim, asnjë shtesë për shtresat në nevojë, më pak fonde për vepra publike dhe më shumë para për administratën. Ky është buxheti i vitit të ardhshëm, i cili një pjesë të mirë të shtesave që do të marrë nga taksat ia kalon fondeve që shpenzon administrata publike. Jemi në kohën e normalizimit të politikës buxhetore. Nuk kemi më ndryshime të mëdha në ligjet fiskale, orientimi i shpenzimeve është kthyer në një normalitet duke dhënë nga pak për të gjithë dhe për herë të parë, ajo që mund të dallohet si pozitive është ulja e borxhit publik nën nivelin 60% të prodhimit të brendshëm bruto.
SA DO TË PAGUAJNË QYTETARËT PËR TAKSA.
Qeveria do të mbledhë 6.36 miliard euro taksa në vitin 2024, ku pjesa kryesore e tyre do të vijë nga tatimi i konsumit. Taksa që ka peshën më të madhe në buxhet prej vitesh është tatimi mbi vlerën e shtuar, dhe vitin e ardhshëm 1/3 e të ardhurave buxhetore (2 miliard euro), do të vijë nga tvsh.
Tatimi mbi vlerën e shtuar është një taksë që i vendoset mallrave të konsumit dhe projektohet që vitin e ardhshëm paratë e vjela përmes saj të rriten me 100 milion euro. Në total projektohen që shtesat në buxhet nga taksat të jenë 350 milion euro më shumë se gjatë këtij viti dhe do të përqëndrohen te rritja e luftës kundër informalitetit, përmirësimi i aktivitetit ekonomik, paketa fiskale dhe rritja e çmimeve të produkteve nga inflacioni i lartë.
Duke qënë se vitin e ardhshëm nuk do të arkëtohet taksa speciale për prodhuesit e en[1]ergjisë elektrike, tatimi mbi korporatat pritet të zbresë në 500 milion euro dhe për herë të parë, taksa e të ardhurave personale do të mbledhë më shumë për buxhetin se taksa ndaj bizneseve. Qeveria do të marrë 615 milion euro nga të punësuarit dhe vetëpunësuarit, duke rritur me 6.5 milion euro arkëtimet pas aplikimit nga 1 janari 2024 i ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat, duke përfshirë në skemën e pagesës së taksës progresive (0, 13 dhe 23%) profesionet e lira dhe personat fizikë. Pas një rënie me një normë 6.5% për 9 mujorin e parë të këtij viti të importeve dhe me 9% të eksporteve, vitin e ardhshëm pritet rigjallërim i konsumit dhe ndaj financat projektojnë me rritje të ardhurat nga taksat nacionale dhe akcizat, këto të fundit dhe për shkak të rritjes nga indeksimi me 1.5%.
Qeveria është tërhequr nga anagazhimi që mori në vitin 2021 për indeksimin e akcizës njëherë në dy vjet me nivelin e inflacionit, duke e lënë masën e indeksimit të saj 1.5%, nga 15.8% që do të ishte po të bazohej në rregullin e vjetër. Rritja e akcizës përmes indeksimit do të rritë çmimin e karburanteve, cigareve dhe alkoolit, mallra të cilat i nënshtrohen kësaj takse.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e ri të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg sot dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…