Menjëherë pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama për dëbimin e diplomatëve rusë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka thirrur ambasadorin rus në vendin tonë, Aleksander Karpushin të cilit i ka komunikuar shpalljen non-grata të dy diplomatëve rusë.
Shqipëria i bashkohet listës së gjatë të shteteve europiane që kanë dëbuar nga 1 deri në 13 diplomatë rusë, lëvizje e koordinuar që vjen pas helmimit të agjentit të dyfishët rus në Britaninë e Madhe, Sergei Skripal dhe vajzës së tij. Sipas MPJ-së shqiptare, arsyeja e dëbimit është se “veprimtaria e tyre nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”.
“Deklaratë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:
Sot, në datë 26 mars 2018, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u thirr Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqiperisë, SHTZ Aleksander Karpushin, të cilit i’u komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik.”
Shtetet që kanë dëbuar diplomatë rusë deri më tani:
Ukraina, 13 diplomatë
Gjermania 4
Hollanda 2
Letonia 1
Polonia 4
Franca 4
Republika Çeke 3
Estonia 1
Italia 2
Danimarka 2
Kanadaja 4
Shqipëria 2