Hapësire reklamuese

Politikë

Bushati: Shqipëria as do t'i hapë, as do t'i mbyllë kufijtë për refugjatët

Shkruar nga Newsbomb

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati tha se Shqipëria as do t’i hapë por as do t’i mbyllë kufijtë në rastin e një vërshimi refugjatësh nga Lindja e Mesme.

Ai i bëri komentet në një intervistë me kolegun tonë Ilir Ikonomi në Uashington. Gjatë qëndrimit në SHBA, zoti Bushati pati bisedime në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe ishte i ftuar në disa diskutime, mes të tjerash në Institutin Brookings në Uashington. Ai foli për marrëdhëniet me SHBA, masat e Shqipërisë për të përballuar një valë të mundshme refugjatësh, ndikimin rus në Ballkan dhe çështje të tjera.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, ju vini në Uashington pas vizitës që bëtë vitin e kaluar, kur u nënshkrua Marrëveshje e Partneritetit Strategjik me Shtetet e Bashkuara. Vini gjithashtu pas një vizite të rëndësishme që Sekretari i Shtetit John Kerry bëri në Tiranë. Cilat janë temat që diskutohen mes jush dhe zyrtarëve amerikanë më konkretisht?

Ditmir Bushati: Jam i gëzuar të konstatoj që ka një intensifikim të marrëdhënieve tona edhe si pasojë e partneritetit strategjik që ekziston mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Natyrisht që diskutojmë për çështjet e sigurisë, për bashkëpunimin në frontin ndërkombëtar në disa prej operacioneve ku jemi së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe për reformat e shtet-ndërtimit dhe shtet-konsolidimit demokratik në Shqipëri, sepse siç dihet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kontributorët kryesorë të asaj çka është Shqipëria sot dhe të rrugëtimit tonë në familjen euroatlantike. Kemi një kalendar, i cili shpresojmë që do të vijojë të jetë i ngjeshur.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, kur flisni për bashkëpunim në fushën e sigurisë, çfarë duhet të nënkuptojmë me këtë?

Ditmir Bushati: Në radhë të parë, jemi partnerë dhe aleatë në NATO. Siç e theksuar me të drejtë Sekretari i Shtetit Kerry, Shqipëria ka një rol mentor në Ballkanin Perëndimor edhe për këtë arsye. Jo thjesht për shkak të pozitës gjeografike, por për shkak të angazhimeve të qarta në NATO; kemi qenë së bashku në disa prej operacioneve më të rëndësishme ndërkombëtare, në Afganistan, në Irak. Bashkëpunojmë për çështje të karakterit humanitar dhe konsultohemi dhe thirremi në konsulta edhe për çështje që kanë të bëjnë përgjithësisht me fatin e shqiptarëve në rajon.

Zëri i Amerikës: Në Tiranë, zoti Kerry falenderoi Shqipërinë për pritjen e një mijë muxhahedinëve iranianë që ndodhen në “Camp Freedom” të Irakut. Dhe Shqipëria ka premtuar për pritjen e dy mijë të tjerëve që do vijnë. Cilat janë modalitetet, në rast se mund të na jepni më shumë hollësi?

Ditmir Bushati: Shqipëria, dhe këtu e kam fjalën për disa qeveri, jo thjesht për qeverinë tonë, por edhe ajo paraardhëse, ka pasur një qëndrim të qartë për sa i përket kësaj çështjeje. Ka kontribuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka bashkëpunuar ngushtësisht me UNHCR-në për të krijuar kushtet e përshtatshme që këta persona të vijnë në territorin e Shqipërisë vetëm për arsye strikte humanitare dhe për asnjë lloj arsye tjetër. Besoj se detajet, siç ka ndodhur edhe në të shkuarën do të bëhen të ditura në mënyrë më graduale.

Zëri i Amerikës: Ju u pyetët edhe në Institutin Brookings për çështjen në rast se Maqedonia mbyll plotësisht kufijtë dhe në Shqipëri do të ketë një vërshim refugjatësh. Natyrisht deri tani Shqipëria nuk është prekur nga një vërshim i tillë për shkak të ndoshta gjeografisë së saj kryesisht dhe ju thatë që Shqipëria nuk i ka burimet e duhura. Ç’mendoni ju se mund të ndodhte në këtë rast?

Ditmir Bushati: Asnjë vend i Bashkimit Evropian siç duket nuk i ka burimet e duhura njerëzore, financiare apo kapacitetet për të akomoduar një numër të papreçedent të refugjatëve që vijnë kryesisht nga Afrika dhe Lindja e Mesme. Por, siç e theksova, është e rëndësishme që të ketë një përgjigje të përbashkët europiane për këtë sfidë, e cila është e përbashkët. Mbyllja e kufijve në mënyrë individuale që mund të kenë bërë vende të caktuara, ndërtimi i mureve, apo i pengesave, barrierave të ndryshme nuk është zgjidhja e problemit, sepse krijon një reaksion zinxhir, efekt zinxhir tek fqinjët e tjerë.

Zëri i Amerikës: Po si do ta interpretonit ju atë që la të kuptohet Kryeministri Rama, i cili tha që Shqipëria nuk ka ndërmend të hapë kufijtë?

Ditmir Bushati: Pikërisht, në këtë që sapo thashë, që Shqipëria as nuk do të hapë kufijtë, as nuk do të mbyllë kufijtë. Shqipëria do t’i qëndrojë besnike vlerave europiane, angazhimeve të ndërmarra në këtë kuadër që në tetorin e vitit të kaluar.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu