Hapësire reklamuese

Politikë

Bushati flet për radion londineze: Forca politike shqiptare, rezistencë në zbatimin e reformave

Shkruar nga Newsbomb

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati në një intervistë për radion “Monocle 24 Radio”, emisioni ‘The Foreign Desk”, deklaron se Shqipëria ka bërë përparim të madh dhe pret që të hapë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Duke u ndalur tek rëndësia e këtij procesi për Ballkanin Perëndimor, kreu i diplomacisë shqiptare u shpreh se “procesi i pranimit në BE shihet si një instrument, si një nxitje për të transformuar veten, për të përmirësuar standardet e jetesës, për të përmirësuar funksionimin e institucioneve shtetërore, si dhe mënyrën si zhvillohet jeta publike”.

Ministri Bushati ka pohuar se në Shqipëri nuk ka asnjë forcë politike që e kundërshton trajektoren e vendit drejt BE-së, por ka rezistencë politike dhe sociale në zbatimin e reformave shtetkonsoliduese që vendi ka ndërmarrë.

Duke u ndalur tek ky prioritet kombëtar, Ministri Bushati u kujdes të nënvizojë se procesi “nuk po ecën aq shpejt sa kemi dëshiruar”, dhe në disa raste njerëzit humbin durimin dhe është shumë e vështirë për të ushqyer pritshmërinë e tyre me programe dhe ide që do të zbatohen për 10 vjet ose 15 vjet.

Më poshtë intervista e plotë:

Gazetari: Dua të pyes para së gjithash pasi ju keni qenë Ministër i Jashtëm i Shqipërisë që nga viti 2013, gjatë kësaj kohe, ku ka qenë në listën tuaj të prioriteteve anëtarësimi i Shqipërisë në BE, sa e rëndësishme është?

Ministri Bushati: Ka qenë gjithmonë prioritet numër një sepse në rastin tonë është një prioritet kombëtar i përbashkët për të gjithë spektrin politik shqiptar. Në vitin 2014 kemi bërë një hap përpara duke u bërë kandidat për në BE dhe në vitin 2016 kemi marrë rekomandimin e parë për fillimin e negociatave për anëtarësim, i cili u shoqërua gjithashtu me një kushtëzim për zbatimin e ligjit për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Më 17 prill, Komisioni Evropian dha një rekomandim të qartë për fillimin e negociatave me Shqipërinë. Pra, gjatë këtyre viteve kemi bërë përparim të madh dhe ne presim të fillojmë negociatat për anëtarësim dhe të vazhdojmë rrugën e transformimit të vendit tonë dhe shoqërisë sonë.

Gazetari: Ju thoni se është prioriteti juaj numër një, por çfarë do të thotë kjo, sa e rëndësishme është për Shqipërinë? A është pikërisht ajo që ju e shihni si përparim kombëtar apo standardet e kërkuara për t'u bashkuar me BE-në janë si një lloj modeli për zhvillim për Shqipërinë?

Ministri Bushati: Është e vërtetë. Është një lloj modeli për zhvillimin e Shqipërisë, për modernizimin dhe transformimin e shoqërisë sonë, por edhe për zhvillimin social dhe ekonomik. Në rastin tonë dhe në Ballkanin Perëndimor në tërësi, jo vetëm në Shqipëri, procesi i pranimit në BE shihet si një instrument, si një nxitje për të transformuar veten, për të përmirësuar standardet e jetesës, për të përmirësuar funksionimin e institucioneve shtetërore, si dhe mënyrën si zhvillohet jeta publike. Nuk duhet të harrojmë faktin se këtu në këtë pjesë të Evropës nuk kemi një përvojë të fortë në ndërtimin e institucioneve shtetërore demokratike. Prandaj, procesi i anëtarësimit në BE ofron një mundësi të mjaftueshme për ne që të transformohemi dhe të ndërtojmë institucione të qëndrueshme, demokratike dhe të me përgjegjshmëri ndaj qytetarëve.

Gazetari: Dua të përcjell përgjigjen tuaj ndaj pyetjes së fundit, sepse është e rëndësishme për dëgjuesit tanë që të rikujtojmë rrugën e jashtëzakonshme që Shqipëria ka bërë në 20 vitet e fundit, kur krahasojmë gjendjen e tmerrshme të Shqipërisë në fund të viteve '90, pothuajse në kolaps dhe ku ndodhet Shqipëria tani. A mendoni se procesi do të kishte qenë më i vështirë nëse nuk do të kishte pasur si qëllim ato standarde të BE-së?

Ministri Bushati: Është e vetëkuptueshme. Për ne, nuk ka alternativë veçse procesi i anëtarësimit në BE dhe anëtarësimi në BE, sepse ai siguron një model për procesin e reformave në vend. Ai siguron gjithashtu një model që përfshihet në të ashtuquajturën acquis communautaire.

Gazetari: A ka ndonjë ndjenjë anti-BE në Shqipëri? Natyrisht, ka ndjenja të dyzuara mes shumicës së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Gjithmonë kam vënë re se anëtarësimi në BE tenton të vlerësohet shumë më tepër nga vendet që janë jashtë tij.

Ministri Bushati: Në rajonin tonë, ka më shumë optimizëm për familjen e BE-së sesa brenda Bashkimit Evropian dhe Projekti Evropian gëzon më shumë mbështetje se sa brenda Bashkimit Evropian. Në Shqipëri, nuk ka asnjë parti politike që e kundërshton këtë trajektore të vendit për t'u bërë anëtare e BE-së, por kur është fjala për zbatimin e procesit të reformave, ne po përballemi me shumë rezistencë politike dhe sociale sepse këtu ky proces ka të bëjë me ndërtimin e institucione të reja, të qëndrueshme dhe të përgjegjshme. Ky proces ka të bëjë me prishjen e një interesi të caktuar ekonomik. Ky proces ka të bëjë me transparencën dhe ka edhe humbës në këtë proces të cilët po përpiqen ta kundërshtojnë atë.

Gazetari: Nga mendoni se vjen optimizmi për BE-në? Siç thatë edhe ju, kjo ndjenjë gëzon mbështetje nga i gjithë spektri politik shqiptar. Çfarë mendoni se shohin tek BE-ja vendet jashtë BE-së, atë që shpesh nuk e shohin qytetarët e vendeve brenda BE-së?

Ministri Bushati: Në rastin tonë, ne e shohim këtë proces si një nxitje për të modernizuar mënyrën e jetesës, mënyrën se si punojnë institucionet, për të integruar ekonominë tonë në një treg më të madh, për të lidhur rajonin tonë, por edhe për të lidhur rajonin tonë me rrjetin e vendeve kryesore evropiane, për të konsoliduar programet e mobilitetit brenda rajonit tonë, por edhe me vendet anëtare të BE-së. Pra, ka shumë përparësi për qytetarët në këtë proces. Por ne gjithashtu duhet të jemi realistë dhe të pranojmë se ky proces po vjen me detyrime të caktuara për ne gjithashtu sepse ne duhet të kryejmë procesin e reformave, ne duhet të përshtatemi me standardet evropiane, të cilat kanë qenë mjaft të panjohura për vendet në lindje dhe jug të Evropës dhe po përpiqemi të bëjmë më të mirën në këtë drejtim.

Gazetari: Sa e vështirë është të menaxhoni pritshmërinë dhe padurimin e popullit shqiptar, sepse natyrisht njerëzit duan që kjo të ndodhë sa më parë, dhe mendoj se ata mund të kenë ide të ekzagjeruara rreth asaj se cilat mund të jetë rezultatet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. A është ky një ekuilibër i vështirë për tu mbajtur në aspektin e komunikimit politik?

Ministri Bushati: Po, sepse procesi nuk po ecën aq shpejt sa kemi dëshiruar. Imagjinoni, u deshën 9 vjet që nga paraqitja e kërkesës për anëtarësim në BE për të marrë rekomandimin për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Dhe në disa raste njerëzit humbin durimin dhe është shumë e vështirë për të ushqyer pritshmërinë e tyre me programe dhe ide që do të zbatohen për 10 vjet ose 15 vjet. Nga ana tjetër, ne e dimë se mjedisi brenda BE-së nuk është nga ato më të mirat sa i përket procesit të zgjerimit. Kemi Brexit dhe tani është mjaft e vështirë të flitet për një martesë kur një divorc është në proces. Kemi gjithashtu shumë kriza dhe sfida që po përballet Bashkimi Evropian. Në të njëjtën kohë, po përpiqemi të trokasim në derën e BE-së për t'u bashkuar me këtë familje.

Gazetari: A jeni i vetëdijshëm se çdo rezistencë ndaj idesë, veçanërisht të pranimit të Shqipërisë, duke pasur parasysh rrethanat që përmendet, mund të imagjinoj se fakti që nuk duhet të merreni me gazetat tabloid të Mbretërisë së Bashkuar, mund ta bënte procesin paksa më të lehtë për ju?

Ministri Bushati: E ripërsëris, ne e shohim këtë proces përmes lenteve që u përpoqa të shpjegoj. Është pak më ndryshe nga ajo që po ndodh në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga debati që dëshmojmë në kryeqytetet e BE-së për të ardhmen e Evropës, sepse për ne është një çështje aspirimi, është një çështje e përmirësimit të standardeve, është çështje për tu integruar në një treg më të madh, sa i përket ekonomisë sonë. Dhe të mos harrojmë se ne kemi jetuar të izoluar në komunizëm për 5 dekada dhe e dimë se çfarë do të thotë të jesh vetëm.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu