Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

Keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe nevoja për investim në kulturën politike

Shkruar nga Ilir Xhafaj
Keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe nevoja për investim
Ilir Xhafaj, gazetar dhe autor i këtij artikulli

Në çdo shoqëri demokratike, procesi i zgjedhjeve është një moment i rëndësishëm për shprehjen e vullnetit të popullit. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themel i sistemit demokratik dhe sigurojnë besueshmërinë e institucioneve demokratike. Megjithatë, keqpërdorimi i burimeve publike në zgjedhje është një shqetësim i madh për demokracinë dhe ligjin. Mazhoranca dhe opozita janë rikthyer në tryezën e dialogut për hartimin e drafteve ligjore për Reformën Zgjedhore, edhe pas apelit ndërkombëtar për të adresuar rekomandimet e ODIHR, në mënyrë që zgjedhjet e vitit të ardhshëm ta gjejnë vendin me një kuadër të ri ligjor. Këtë ka theksuar dhe Matteo Mecacci, Drejtor i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), gjatë vizitës së tij në ditët e para të Marsit 2024 në Tiranë.

Meccacci vlerësoi punën e bërë nga Shqipëria, por përsëriti thirrjen për angazhim të menjëhershëm në dialog të partive politike, në mënyrë që Reforma Zgjedhore të ecë përpara. Tryezat e para janë zhvilluar dhe së shpejti pritet që Komisioni i Posaçëm të paraqesë një draft final për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Një ndër çështjet kryesore që synon të adresohet në draftin përfundimtar e për t'u përfshirë më pas në Kodin Zgjedhor është shpërdorimi (keqpërdorimi) i burimeve shtetërore në zgjedhje. Referuar praktikave të ndeshura gjatë monitorimit të zgjedhjeve në Shqipëri, nga organizata të huaj dhe vendase, ka dalë se në praktikën e zgjedhjeve shqiptare ka disa forma të përdorimit apo shpërdorimit të burimeve shtetërore, që nga presioni mbi punonjësit për të deklaruar votën e tyre dhe të familjarëve, kërcënimi me humbjen e vendit të punës, premtimi për vende pune në bazë të angazhimit dhe numrit të votave, apo dhe ushtrimi politik i tagrave ligjore.

Praktikat e këqija në zgjedhjet e 14 Majit 2023

Një rast flagrant i deklarimit të votës u regjistrua në Bashkinë e Patosit, në zgjedhjet lokale të 14 Majit, ku punonjësi i Ndërmarrjes Komunale u dhunua barbarisht sepse nuk kishte pranuar që në formularin që i kishin dhënë përfaqësues të pushtetit vendor, të deklaronte votën e tij dhe të familjarëve. Punonjësi i Bashkisë së Patosit bëri kallëzim në polici dhe tregoi se shkak i dhunës së ushtruar ndaj tij ishte bërë mohimi i kërkesës së eprorit për të deklaruar votat e familjes për Partinë Socialiste në pushtet. Opozita e denoncoi gjithashtu rastin, duke kërkuar nga shteti që të mos përdorte funksionarët e vetë për të kërcënuar e shantazhuar zgjedhësit. Përdorimi i burimeve shtetërore në zgjedhje është evidentuar edhe nga një raport i Institutit të Studimeve Politike, një organizatë joqeveritare në fushën e studimeve politike në Shqipëri, që ka fokus kryesor monitorimin e proceseve politike të tranzicionit dhe edukimin e publikut.

Projekti “Monitorimi i përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën për zgjedhjet vendore 2023” i realizuar nga Instituti i Studimeve Politike me mbështetjen e fondacionit Konrad Adenauer (KAS), evidentoi mes gjetjeve kryesore dhe fenomenin e përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale. "Zgjedhjet vendore 2023 në pesë bashkitë nën monitorim u dominuan nga fenomeni i përhapur i përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime direkte ose indirekte elektorale. Në bashki si Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Fieri e gjithë struktura ekzekutive dhe publike ishte pjesë e fushatës, stafi administrativ ishte pjesë e fushatës, agjenda elektorale u mbivendos mbi atë institucionale", vlerësoi raporti. Edhe vetë OSBE/ODIHR ka kërkuar në disa zgjedhje lokale e parlamentare që të merren masa për adresimin ligjor të përdorimit të burimeve shtetërore.

Në raportin për lokalet e 14 Majit 2023, 250 vëzhguesit afatgjatë dhe afatshkurtër që erdhën në Shqipëri kanë evidentuar përdorim masiv të këtij fenomeni, madje në disa raste ndarja mes aktiviteteve politike vendore me aktivitetet politike institucionale ishte e paqartë nga numri i madh i tyre. "Rishikimi i dispozitave ligjore në lidhje me fushatën, përfshirë ato kundër keqpërdorimit të burimeve shtetërore, për të hequr paqartësitë dhe për të siguruar kushte të barabarta loje", thuhej ndër të tjera në raportin e ODIHR, i cili ju dorëzua dhe institucioneve shqiptare pas zgjedhjeve të Majit, publikuar dhe në media.

Vendimi i Qeverisë shqiptare dhe boshllëku ligjor

Megjithatë, në këto zgjedhje pati dhe një vendim të Qeverisë Shqiptare për një shpërblim të pensionistëve një muaj para zgjedhjeve vendore të 14 Majit 2023, duke shfrytëzuar paqartësitë dhe hapësirat e mëdha të Kodit Zgjedhor. Kryeministri Edi Rama njoftoi se Këshilli i Ministrave kishte vendosur të jepte 5 mijë lekë bonus për të gjithë pensionistët e Shqipërisë.

"Tani, së pari këto janë të gjitha çështje dhe janë të gjitha zotime që janë marrë dhe s’kanë lidhje me kodin zgjedhor", u shpreh Edi Rama kur u pyet nga media, duke theksuar qeveria nuk mund t'ju thoshte pensionistëve se "ju s’mund të merrni gjë se janë ca zgjedhje vendore dhe do prisni katër muaj se kështu kanë vendosur partitë në ato kinezeritë e tyre për të bërë sisteme që janë ta panjohura në botë." Ky premtim u bë realitet pavarësisht kritikave dhe shkeljes së qartë të Pikës 4, Neni 91 të Kodit Zgjedhor, që saktëson se: "Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore."

Deklarata publike e kryeministrit Edi Rama tregoi se ai dhe mazhoranca socialiste në pushtet e konsiderojnë "kinezëri" parashikimin e Kodit Zgjedhor për ndalimin 4 muaj para të propozimit apo miratimit të akteve ligjore e nënligjore që ndikojnë në fushatë. Ky element është pjesë e debatit aktual, nëse për zgjedhjet parlamentare, kryesisht, a duhet të vazhdohet më me modelin e kufizimit të vendimeve të qeverisë katër muaj para zgjedhjeve, apo të kalohet në një variant tjetër që parashikon që kufizimin deri në nëntë muaj, kohë kur Presidenti i Republikës shpall zyrtarisht datën e zgjedhjeve të reja.

Praktikisht, varianti i dytë shtrihet në një periudhë të gjatë kohore dhe do të penalizonte shtresa të caktuara që ndikohen direkt ose indirekt nga vendimet e Këshillit të Ministrave, ndaj probabiliteti që të merret parasysh është gati i papërfillshëm. Por, siç duket mazhoranca socialiste nuk është dakord as me dispozitën aktuale të Kodit Zgjedhor, për kufizimin 4 muaj para zgjedhjeve sepse vetë kryeministri e quan "kinezëri". Një tjetër problematikë e regjistruar në zgjedhje është dhe ajo e përfshirjes së deputetëve, ministrave apo drejtuesve të enteve publike drejtpërdrejt në fushatë.

Raste flagrante si Tirana dhe Durrësi

Tirana dhe Durrësi, dy ndër bashkitë më të mëdha në vend kanë pasur një rekord negativ në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023. Ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore, bashkë me drejtuesit e tyre u angazhuan në funksion të procesit elektoral duke favorizuar kandidatët e mazhorancës socialiste në pushtet.

"Një numër i madh i aktiviteteve në Tiranë nuk kishin ndarje të qartë midis aktiviteteve politike vendore me aktivitetet politike institucionale. Të gjitha ministritë u vunë në funksion të procesit elektoral, por pa u ndjerë nën presion nga monitorimin nga KQZ, Task - Forca apo shoqëria civile", ka konstatuar Instituti i Studimeve Politike.

Konkretisht, për rastin e fushatës zgjedhore në Bashkinë e Tiranës, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të gjobisë kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ministren e Kulturës, Elva Margariti dhe drejtoreshën e Teatrit të Operas, Abigeila Vushtina, për shkelje të Kodit Zgjedhor, për përdorim të burimeve publike në favor të fushatës elektorale. Me shumicë votash, KAS vendosi sanksion administrativ me gjobë në masën 155.000 (njëqind e pesëdhjetë e pesë mijë) lekë ndaj Erion Veliaj; gjobë në masën 2.500 (dymijë e pesëqind) lekë ndaj Elva Margaritit dhe gjobë në masën 2.500 (dymijë e pesëqind) lekë ndaj Abigeila Vushtina.

Ky ishte një ndër shumë rastet flagrante të angazhimit të përfaqësuesve të lartë shtetërorë dhe drejtuesve të institucioneve publike në fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 Majit 2023, në mbështetje të kandidatëve të Partisë Socialiste. Bashkia e Durrësit ka regjistruar gjithashtu një rekord negativ në këto zgjedhje. Ajo kishte numrin më të madh të akteve administrative me natyre financiare gjatë fushatës elektorale, me 36 vendime në një ditë, sipas ISP, duke paraqitur edhe rastin më flagrant të përdorimit të aseteve financiare dhe strukturës drejtuese bashkiake (kryetar, këshilli bashkiak, prefektura). Madje, fushata në këtë qark u drejtuar nga kreu i një enti publik, Ardian Çela, duke njehsuar sektorët publik shtetëror me fushatën zgjedhore.

Task-Forca e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Krijimi dhe zbatimi i mekanizmave të monitorimit të zgjedhjeve janë thelbësore për të mbajtur larg procesin zgjedhor nga keqpërdorimi i burimeve publike. Një sugjerim është që të ngrihen komisione të posaçme për të adresuar rekomandimet e paplotësuara të institucioneve ndërkombëtare në këtë fushë, siç është OSBE/ODIHR. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë një nismë për t'u përshëndetur në këtë drejtim.  Komisioneri Ilirjan Celibashi gjatë një takimi që ka pasur më 4 Mars 2024 me Drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Matteo Mecacci, e ka informuar këtë të fundit se në administratën e KQZ është ngritur një task-forcë për realizimin e çdo rekomandimi të OSBE/ODIHR që ka të bëjë me kompetencën e institucionit që organizon zgjedhjet në vendin tonë.

Ky mekanizëm i ngritur me vullnetin e vetë KQZ-së në formën e një task-force me kompetencat brenda institucionit duhet të ndërmerret dhe nga anëtarët e Komisionit për Reformën Zgjedhore, duke formuar një komision të posaçëm për shqyrtimin e praktikave më të mira dhe zbatimin e rekomandimeve të institucioneve europiane, ku Shqipëria synon të bëhet anëtare. Në përgjigje të interesit tonë për këtë fenomen, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve na dërgoi një listë të plotë të vendimeve që ka marrë ndaj drejtuesve të bashkive, ministrave, drejtuesve të institucioneve të administratës publike, të cilët janë përfshirë haptazi në shkelje të Kodit Zgjedhor duke u angazhuar drejtpërdrejt në fushatë.

Nevoja për ndërhyrje në qartësimin e parashikimeve të Kodit Zgjedhor

Mirëpo, pavarësisht denoncimeve që kanë mbërritur në këtë institucion, nga analiza dhe vendimi që është marrë del se edhe vetë Komisioni është në pozitë të vështirë për të marrë masa sepse Kodi Zgjedhor ka shumë hapësira që janë ligjërisht të paqarta. Konkretisht, bëhet fjalë për vendimin nr. 480 datë 10 Maj 2023, të KSHZ, është vendosur ti propozohet Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve marrjen e masës administrative për: a) z. Gledjan Llatja, kryetar i bashkisë Elbasan, në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë. Ky subjekt është denoncuar nga deputeti Flamur Noka, sepse në aktivitete ku ka qenë i pranishëm dhe deputeti socialist Damian Gjiknuri është vërejtur përdorimi i thënieve me natyrë tërësisht elektorale në takim, si dhe thirrje për mbështetje duke ë bërë aktivitetin jo më institucional, por elektoral. Pas denoncimit, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve me vendim nr. 105, datë 12.05.2023, ka vendosur se nuk mund të marrë masa administrative ndaj subjekteve ose përfaqësuesve të institucioneve vetëm nëse konstaton shkeljen e dispozitave të caktuara detyruese ligjore, por nuk mund të sanksionojë administrativisht për veprime, të cilat nuk është ligjërisht e qartë nëse janë kryer brenda apo jashtë periudhës së ndalimit të fushatës zgjedhore.

"Kuadri ligjor i paqartë nuk mund të zbatohet në dëm të subjekteve. Ndëshkim pa shkelje dhe pa faj nuk mund të ketë. Referuar dispozitivit të vendimit nr. 105, datë 12 Maj 2023 KAS, ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Komisionerit për vendosjen e sanksioneve administrative", thuhet në vendimin e marrë nga KAS, i cili na është vënë në dispozicion për qëllimet e këtij artikulli.

Siç shihet, hapësirat e lëna në Kodin Zgjedhor vënë në vështirësi dhe vetë institucionet që organizojnë dhe monitorojnë zgjedhjet në Shqipëri, ndaj nevoja për ndërhyrje dhe përmirësimin e tij është imediate e me angazhim gjithëpërfshirës të palëve politike. Raste të ngjashme janë shumë, por vlen të theksohet se problemi i keqpërdorimit të burimeve shtetërore është natyrisht një problem i gjerë dhe mjaft kompleks, i cili shtrihet dhe në vende me që kanë një traditë të konsoliduar të zgjedhjeve demokratike, por sigurisht këto raste atje janë më minore. Shqipëria është një vend me demokraci relativisht të re dhe kësisoj pesha më e madhe për një lojë me rregulla të barabarta bie mbi vetë politikën, kulturën e sëmurë të partive në një fushë ku mungojnë standardet dhe angazhimi real për një fushatë të qetë, të pastër e të ndershme.

Ndaj, paralelisht me ndryshimet ligjore në Kodin Zgjedhor është i nevojshëm dhe një reflektim i partive politike e drejtuesve të tyre për t'u shkëputur nga këto praktika të këqija zgjedhore, duke u orientuar drejt një kulture të shëndoshë europiane. Ky artikull bëhet në kuadër të projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, realizuar nga ISP mbështetur nga Embassy of the Netherlands in Albania përmes programit Matra.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese