Hapësire reklamuese

Aktualitet

Bujar Spahiu sfidon kritikët, myslimanët e rizgjedhin në krye të KMSH

Shkruar nga Newsbomb
Bujar Spahiu sfidon kritikët, myslimanët e rizgjedhin në krye
Pavarësisht “zhurmës”, Bujar Spahiu është zgjedhur me 82 vota si kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.  Në total kanë votuar 92 anëtarë të kryesisë, ku vetëm 10 prej tyre nuk janë shprehur pro Spahiut. Pas dhënies së vendimit, ai mbajti një fjalim ku paralajmëroi se do të ndjekë rrugët ligjore, kundrejt atyre që abuzojnë dhe flasin pa fakte. “Kam qenë dhe do jem i hapur që besimtarët të shprehin lirisht mendimin e tyre. Ju garantoj se cili prej jush do gjejë një atmosferë të të menduarit i lirë, shkëmbimit të ideve, deri në atë masë sa kjo i shërben qëllimit dhe misionit tonë të përbashkët. Do të ndjek rrugët ligjore ndaj kujtdo që akuzon pa fakte dhe nxit përçarje mes besimtarëve. KMSH do të vijojë të jetë vijues i traditës, ne kemi qenë faktor stabiliteti, paqeje e mirëkuptimi. Do e ruajmë këtë traditë. Do vijojmë të japim kontributin që na takon. Familja është qeliza bazë e shoqërisë dhe do bëjmë çmos që kjo qelizë të jetë e shëndetshme. Besimtarët dhe gjithë shqiptarët le të kthejnë sytë nga zoti të na udhëzojë në rrugën e drejtë,” deklaroi gjatë fjalës së tij Bujar Spahiu. Sakaq, jashtë Medresesë së Tiranës u mblodhën një grup protestuesish, të cilët me pankarta në duar, ata akuzojnë Komunitetin Mysliman të Shqipërisë së është influnecuar nga organizata  FETO, e Fet’hullah Gylenit. Protestuesit kërkojnë medoemos largiminin e gylenistëve nga KMSH-ja. “Të largohen gylenistët nga pushtimi i KMSH-së”, “FETO Leave Albanian Islam Alone”, “Legjitimitet për KMSH-në”, “Gylenistë ne nuk iu duam”, shkruhet në disa prej pankartave. Këto tensione janë thelluar më tej nga kërkesat e Presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, drejtuar kryeministrit shqiptar Edi Rama për pastrimin e KMSH nga prania e organizatës së quajtur "FETO", e cila është akuzuar për veprimtari terroriste. Njjë prej pikave të pengesës për inagurimin e xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, e financuar nga Turqia, është pikërisht kjo situatë e tensionuar. Erdogan ka bërë të qartë se qëndrimi i tij është se nuk do të lejojë asnjë lidhje me organizatën e Fetullah Gylenit, dhe kjo ka ndikuar në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë, duke bërë që xhamia të mbetet pa inaguruar derisa të zgjidhet ky çështje. Në garë me Bujar Spahiun, aktualisht në detyrë ishte edhe Eduard Shefki, administrator i myftinisë së Durrësit, dhe Emirjon Vathaj, myftiu i Breatit.

Mesazhi i plotë i Bujar Spahiut, kryetar i rizgjedhur i Komunitetit Mysliman:

Motra dhe vëllezër, sot, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë më besuan me votën e tyre një mandat të dytë në krye të KMSH. Duke falenderuar secilin prej tyre për besimin e dhënë, po ndaj me ju fjalën e plot në fund të procesit zgjedhor. Fjala e plotë: Të dashur anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të dashur konkurentë të mi në këtë garë, Motra dhe vëllezër shqiptarë. Sot, ju më keni ngarkuar me një përgjegjësi edhe më të rëndë se ajo e 5-së viteve më parë. Ridhënia e besimit nga ana juaj, pas një mandati të mbushur me sfida, tregon se pritshmëritë tuaja karshi meje mbeten ende shumë të larta. Unë dua ta nis këtë fjalë me lutje ndaj Zotit të gjithësisë që të më mbështesë në këtë mision kaq të rëndësishëm dhe me kaq përgjegjësi. Ashtu sikurse këtë mandat që po le pas, unë do të vijoj ta shoh këtë rizgjedhje që po më jepni si shërbim në funksion të fesë dhe kombit tonë. Do të mundohem të jem shërbëtor besnik i parimeve dhe principeve më të larta të kësaj feje. Do të ndjek rrugën dhe moralin e lartë të Profetit Muhamed (a.s.) me devocion e përkushtim. Do të vijoj të dëgjoj me vëmendje kritikat e sinqerta dhe të qenësishme ndaj meje personalisht dhe ndaj institucionit që përfaqësoj. Komuniteti jonë është shembull në respektimin e lirisë së shprehjes dhe mendimit të secilit. Ky institucion përfaqëson gjithë myslimanët në Republikën e Shqipërisë dhe është një pasuri kombëtare e shoqërisë shqiptare. Ky amanet i ngarkuar nga ju sot më detyron ta kryej këtë detyrë me vetëdijen dhe përgjegjësinë e llogaridhënies para Zotit dhe para jush. ”Allahu i ndihmon edhe ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zekatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.” (Surja Haxh, ajeti 41) Zot na mundëso një fund të mirë në përfundim të kësaj çështje. Do të ndjek me besnikëri, ashtu siç kam bërë deri më sot tre parime themelore: - Këshillimin me njerëzit e fushës në çdo vendim që do të marr; - Drejtësinë - do të veproj të drejtën me çdo kosto që ajo të vijë; - Do të respektoj dhe garantoj lirinë e mendimit të secilit, qoftë pjesë e organeve të KMSH apo jo. - Drejtësia Urdhëron Zoti që të jemi të drejtë. Të sillemi me njerëzit në mënyrë të mirë me cilindo, pavarësisht nga raca e tyre, ngjyra, prejardhje kombëtare apo religjioni. Kurani i Madhërishëm i urdhëron myslimanët që të jenë të drejtë madje edhe kur kanë të bëjnë me ata, të cilët i kundërshtojnë. “O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), Allahu është për ata vlerësuesi më i drejtë…” (Surja Nisa) - Liria e mendimit Kam qenë dhe do të jem i hapur ndaj çdo kritike konstruktive. Inkurajoj cilindo që ka nijetin e sinqertë dhe qëllim përmirësimin e punëve të shprehin lirisht mendimet e tyre. Ju garantoj se cilido prej jush do të vijojë të gjejë te institucioni një atmosferë të të menduarit të lirë, shkëmbimit të shëndoshë të ideve, kritikës dhe këshillimit të ndërsjellë deri në atë masë sa kjo i shërben qëllimit dhe misionit të përbashkët. Por gjithashtu, institucioni që unë do të drejtoj nuk do të ngurroj të ndjekë të gjitha rrugët ligjore ndaj kujtdo që akuzon pa fakte apo nxit urrejtje dhe përcarje mes besimtarëve dhe në shoqëri. Motra dhe vëllezër shqiptarë që po na dëgjoni, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të vijojë të jetë vazhdues i traditës së paraardhësve tanë. Në 100-vite KMSH ne kemi qenë faktor stabiliteti, paqeje e mirëkuptimi në shoqërinë shqiptare. Kemi ruajtur e do të ruajmë këtë traditë. Do të vijojë të jetë kontribues i pakursyer në ruajtjen me fanatizëm të harmonisë e dialogut mes besimeve fetare në vend. Ne do të vijojmë të japim kontributin që na takon që Shqipëria të bëhet vend më i mirë e më i begatë për fëmijët tanë, për më të moshuarit e për njerëzit në nevojë. Ne do të vijojmë të japim mbështetjen tonë me vendosmëri që vendi ynë të përparojë drejt familjes europiane. Vëllezër dhe motra, Familja është qeliza bazë e shoqërisë, e patjetërsueshme, në të gjitha kohërat, e ne do të bëjmë çmos që kjo qelizë të jetë e shëndetshme. I lutem Zotit që të jetë krah nesh për ta çuar para këtë punë si amanet e mision fisnik! Në fund dua të kërkoj një lutje për ju këtu, besimtarët dhe gjithë shqiptarët, le të kthejmë sytë nga Zoti, le t’i lutemi Atij të na udhëzojë në rrugën e drejtë e të na bëjë njerëz që i kontribuojmë të mirës e refuzojmë të keqen! Amin!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese