Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela, ishte një nga personat që mbeti i plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm në një magazinë në pronësi të tij në Lushnje.
Ai u është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale dhe ndodhet i shtruar prej 3 ditësh në spitalin e Traumës. Sakaq, burime për Newsbomb bëjnë me dije se nga zhurma e shpërthimit, deputeti ka shfaqur probleme me dëgjimin, dhe ka dëmtime në pjesën e barkut, por gjendja e tij është stabël.
Ngjarja u regjistrua pak ditë më parë dhe për pasojë humbi jetën vinçieri dhe djali i tij, si dhe u plagosën shtatë të tjerë. Vinçieri Roland Verçani (Hoxha) dhe djali i tij 20 vjeçar, Elidoni ishin duke shkarkuar dy bombula me oksigjen dhe dyshimet e hetuesve bien mbi to. Ata dyshojnë se shkak për shpërthimin e fuqishëm që është dëgjuar në gjithë Lushnjën e deri në Peqin është bërë plasja e njërës prej tyre.
Fillimisht, nga forca e madhe dhe zhurma e shpërthimit u raportua se ngjarja në vendin e njohur si “Rrethrrotullimi i Plastmasit” ishte shpërthim tritoli, por më vonë nga informacionet paraprake doli se shkak ishte bërë kontakti me rrjetin e tensionit të lartë.
Nga këqyrja e hetuesve në vendin e ngjarjes, një grup i përbërë nga ekspertë të disa fushave, kjo pistë është rrëzuar dhe dyshimet kryesore bien mbi një aksident në punë të ndodhur gjatë shkarkimit të bombulave të oksigjenit.
Megjithatë, do të jetë raporti përfundimtar i grupit të ekspertëve që do të përcaktojë arsyet dhe shkakun e shpërthimit, që i mori jetën vinçierit Roland Verçani (Hoxha) dhe djali i tij 20 vjeçar, Elidonit, si dhe la të plagosur shtatë shtetas të tjerë, ndër to edhe deputetin socialist.