Deputeti Erion Braçe ka folur tek Komisioni i Ekonomisë për vështirësitë që hasen bujqit.
Braçe në këtë komision ka propozuar që mes kompanive të grumbullimit dhe fermerit të ketë kontrata të rregullta dhe fatura tatimore me TVSH me qëllim që të jenë të detyruar që brenda 30-60 ditëve të paguajnë detyrimin, në të kundërt pagesa do të kryhet me kamatvonesë.
“Elementi tjetër shqetësues është konkurrenca e kompanive të grumbullimit. Tregu është deformuar në mënyrë të hapur. Ka grumbullues shumë të mëdhenj që vijojnë të punojnë me prodhimin e bujkut ashtu siç ka kompani të tjera që punojnë me lekë në dorë dhe janë vështirësi nga një konkurrencë e pandershme.
Të tjerët vendosin çmime normale tregu që i paguajnë në çast në kushte informaliteti dhe në mashtrim të plotë. Kjo konkurrencë godet bujkun. Ky vit që u mbyll duke u nisur nga cikli i pare i prodhimit në tregjet ndërkombëtare ka pasur çmime të larta ndërsa këto për bujqit janë njësoj si viti më parë. Zona e Divjakës nuk ka marrë ende paratë e shalqinit që ka shitur në maj e qershor.
Duhet të ketë formalizim për kontratë mes bujkut dhe grumbulluesit dhe ligjërim të transaksionit përmes një fature që sot nuk ekziston. Kjo bën që bujku të mbrohet. Po ashtu duhet të ketë fotografim të situatës aktuale për të verifikuar dhe dokumentuar situatën aktuale. Duhet mbrojtur bujku dhe prandaj ky ligj bën të detyrueshme që grumbulluesit apo përpunuesit të kenë kontrata ligjore dhe fatura ligjore që dokumentojnë transaksionin në kohë reale dhe detyron palët ta bëjnë të pagueshme brenda 30-60 ditëve dhe më pas kalon në kamat vonesa pas këtij afati dhe interesat përkatëse”, tha Braçe.