Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Bota

Zjarri në Kopenhagen, lufta për të shpëtuar historinë 400 vjeçare të Danimarkës

Shkruar nga Newsbomb

Zjarri në Kopenhagen, lufta për të shpëtuar historinë

Zjarri i rënë në Dhomën Daneze të Tregtisë, në Kopenhagen dy ditë më parë, e cila funksiononte njëkohësisht edhe si një qendër historiko-kulturore ka shkaktuar pasoja të rënda për kulturën e këtij vendi. Duke e krahasuar me shkatërrimin e "Notre Dome Paris", kjo qendër është humbja e dytë në radhë për kulturën evropiane. Flakët duket se kanë përpirë gjithçka pasi nga qendra historike-kulturore kanë ngelur vetëm muret e saj, ndërsa gjithçka tjetër brenda është kthyer në hi.

Dhoma Daneze e Tregtisë, e cila ka në pronësi ndërtesën që nga viti 1857, po punonte për ta rikthyer atë në stilin e mbretit të Danimarkës Christian IV, i cili e kishte ndërtuar atë në shekullin e 17-të. Ndërtesa shërbente si seli e Dhomës së Tregtisë, ndërsa mësohet se ajo ishte duke u rinovuar, pasi ishte e veshur me skela kur shpërtheu zjarri, duke e bërë edhe më të vështirë për shërbimet e zjarrëfikëses që të luftonin me flakët, ndërsa çatia prej bakri bllokoi nxehtësinë.

Disa qindra vepra arti dhe artefakte, duke përfshirë piktura, pasqyra, llambadarë dhe orë u shpëtuan nga zjarrfikësit përpara se flakët të shkatërronin pjesën më të madhe të brendshme të ndërtesës, ndërkohë që edhe shumë të tjera nuk mundën të shpëtoheshin për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.

Shërbimet e urgjencës, punonjës nga Dhoma Daneze e Tregtisë, duke përfshirë CEO të saj Brian Mikkelsen, madje edhe kalimtarë u panë duke mbajtur piktura larg ndërtesës në një garë për të shpëtuar artefaktet historike nga flakët.

Brian Mikkelsen, drejtuesi i “Dhomës Daneze të Tregtisë” në këtë vend shprehet i pikëlluar për këtë humbje të trashëgimisë kulturore, ndërsa shton se shumë shpejt qendra do ti rikthehet gjendjes së saj fillestare.

"Është trashëgimia jonë kulturore që po shikoj. Janë 400 vjet që kanë formësuar historinë kulturore daneze dhe shoqërinë në të cilën jetojmë sot",- Brian Mikkelsen.

Sipas një njoftimi nga Muzeu Kombëtar i Danimarkës, disa asete kulturore nuk kanë mundur që të shpëtohen, pasi disa nga pikturat më të vjetra janë djegur plotësisht e ndërsa disa të tjera kanë pasur dëmtime më të lehta, që mund të rinovohen.

Kuratorët e artit shprehen se shumë piktura janë dëmtuar edhe nga uji që zjarrfikësit kanë përdorur për të shuar flakët. Ndonëse sipas tyre, me rëndësi është që një pjesë e mirë e tyre kanë arritur që të evakuohen në kohë, duke ruajtur një gjendje relativisht të mirë.

“Ato mund të mos e kenë bërë në mënyrën që një profesionist do të punonte me pikturat, por këto janë gjëra të papërfillshme për ne, në kësi rastesh”,- thotë Nina Wajman, një kuratore e artit në Muzeun Kombëtar të Danimarkës.

Duke u nisur nga raportimet e mediave të huaja, nuk dihen ende shkaqet që kanë çuar në rënien e zjarrit në këtë vend, ndërsa investigimet e policisë për këtë incident thuhet se mund të zgjasin për disa muaj.

Spiralja e konsideruar nga vendasit si "Notre Dome" i tyre, mësohet se fillimisht është ndërtuar për tregtimin e mallrave si çaji dhe erëzat. Ajo u formua si bishtat e katër dragonjve të ndërthurur, duke simbolizuar mbrojtjen e arit që tregtia do të gjeneronte për Danimarkën.

Gjithashtu, Spiralja kishte tre kurora në krye, që simbolizonin mbretëritë e Danimarkës, Norvegjisë dhe Suedisë. 

Për këtë humbje ka reaguar edhe Mbreti Frederik, i cili nëpërmjet një postimi shprehet se trashëgimia arkitekturore e vendit është duke u përballur me rrezikun e zhdukjes.

“Një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë arkitekturore ishte dhe është ende në flakë. Për breza, spiralja karakteristike e dragoit ka ndihmuar në karakterizimin e Kopenhagës si "qyteti i kullave,”- shkroi mbreti Frederik në një postim.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese