
Të paktën 17 persona humbën jetën pasi një zjarr i fuqishëm përfshiu një ndërtesë trekatëshe në qytetin Hyderabad të Indisë, në orët e para të së dielës.
Sipas një deklarate nga Departamenti i Emergjencave për Reagim ndaj Katastrofave nga Zjarri dhe Mbrojtjes Civile në shtetin jugor të Telanganës, zjarri shpërtheu në katin përdhes të ndërtesës, ku ndodhej një dyqan bizhuterish, dhe u përhap me shpejtësi në katet e sipërme.
“Zjarri shpërtheu në katin përdhes dhe u përhap në katet e sipërme. Operacionet e zjarrfikjes, kërkim-shpëtimit u kryen njëkohësisht”, tha ajo.
Autoritetet kanë publikuar emrat e 17 viktimave të konfirmuara, ndërkohë që shkaku i mundshëm i zjarrit është ende në fazë hetimi.
"Shkaku i dyshuar i zjarrit është duke u hetuar", tha ajo.
Kryeministri indian Narendra Modi shprehu “pikëllimin e tij të thellë” për humbjen e jetëve dhe njoftoi kompensim prej 200,000 rupish (rreth 2,300 dollarë) për të afërmit më të afërt të secilës viktimë.
“Jam thellësisht i pikëlluar nga humbja e jetëve për shkak të një tragjedie nga zjarri në Hyderabad, Telangana”, tha Modi në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.
"Ngushëllime atyre që kanë humbur të dashurit e tyre. Shërohuni sa më shpejt të lënduarit."