Një zjarr shkatërrues ka përfshirë Kaliforninë jugore, duke detyruar evakuimin e të paktën 30,000 banorëve dhe duke lënë pas një shkatërrim të madh. Në vetëm një orë, flakët janë përhapur nga 10 në mbi 2,900 hektarë në zonën e Palisades të Paqësorit, të favorizuara nga erërat e fuqishme.
Banorët e zonës tregojnë për momentet tronditëse kur zjarri u përhap me shpejtësi. “Në fillim pamë tym dhe më pas, brenda pak minutash, gjithçka ishte në flakë,” tha një banor i prekur. Pamjet e publikuara tregojnë lagje të tëra të përfshira nga zjarri dhe njerëz që braktisin automjetet e tyre për t’u larguar.
Zjarrfikësit po luftojnë me të gjitha forcat për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa për të ndihmuar janë angazhuar edhe ekipe ajrore. Departamenti i Zjarrfikësve në Los Angeles ka bërë thirrje për mbështetje shtesë nga ekipet jashtë detyrës, ndërsa shumë rrethe shkollore në zonë kanë anuluar mësimin për shkak të ndërprerjeve të energjisë dhe kushteve të rrezikshme.
Ndërkohë, një zjarr i dytë ka shpërthyer pranë Kanionit Eaton në Altadena, rreth 40 kilometra në brendësi të Palisades. Ky zjarr ka përkeqësuar situatën, duke lënë më shumë se 200,000 persona në qarkun e Los Anxhelosit pa energji elektrike.
Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur dhe presidenti Joe Biden ka miratuar përdorimin e fondeve federale për të ndihmuar komunitetet e prekura.