Ndërsa zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara po afrohen më 5 nëntor, sondazhet tregojnë se zëvendëspresidentja demokrate Kamala Harris dhe ish-presidenti republikan Donald Trump janë përfshirë në një garë të ngushtë.
Ato kanë të bëjnë me atë se kë populli amerikan dëshiron të shohë në krye të vendit, ama ndikimi i jashtëzakonshëm i SHBA do të thotë se gara po shikohet nga afër në kryeqytetet anembanë botës.
Udhëheqësi rus Vladimir Putin ka sugjeruar – ndoshta me shaka – se ai mund të preferonte Harrisin si president, shumë shenja tregojnë se Putini në fakt favorizon fitoren e Trump.
“Putini do ta donte Trumpin si president për arsye të ndryshme”, tha për Al Jazeera Timothy Ash, një bashkëpunëtor në Programin e Rusisë dhe Euroazisë në Chatham House.
Kurse Xi Jinping nuk ka bërë publikisht një preferencë. Ashtu si me Rusinë, demokratët dhe republikanët kanë mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Kinës. Gjatë presidencës së tij, Trump filloi një luftë tregtare me Kinën, duke vendosur tarifa mbi 250 miliardë dollarë të importeve kineze në 2018.
Kina u kundërpërgjigj, duke vendosur tarifa mbi 110 miliardë dollarë të importeve nga SHBA.
Kur Biden u bë president, ai mbajti tarifat e Trumpit. Për më tepër, më 13 shtator të këtij viti, administrata Biden njoftoi rritje të tarifave për disa produkte të prodhimit kinez. Nëse Harris fiton, ajo pritet të qëndrojë konsistente me politikën e Bidenit ndaj Kinës.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu nuk e ka mbështetur publikisht asnjërin nga kandidatët. Megjithatë, besohet gjerësisht se ai anon drejt fitores së Trump.
Netanyahu dhe Trump kishin një marrëdhënie të mirë gjatë mandatit të parë të ish-presidentit amerikan. Në vitin 2019, në Këshillin izraelito-amerikan, Trump tha: "Shteti hebre nuk ka pasur kurrë një mik më të mirë në Shtëpinë e Bardhë se presidenti juaj".
Ndjenjat ishin të ndërsjella. Netanyahu, në një deklaratë të vitit 2020, tha se Trump ishte "miku më i madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë".
Liderët evropianë dhe të NATO-s
Shumica e liderëve evropianë preferojnë Harrisin si president të SHBA-së. “Unë e njoh mirë atë, ajo me siguri do të ishte një presidente e mirë”, u tha gazetarëve Olaf Scholz, kancelari i Gjermanisë.
Trump ka kërcënuar disa herë se do të largohet nga NATO . Megjithatë, Politico raportoi se këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare dhe ekspertët e mbrojtjes thonë se nuk ka gjasa që ai të dalë nga aleanca.
Ndërsa kryeministri i Indisë Narendra Modi ndau një marrëdhënie të ngushtë me Trump gjatë presidencës së këtij të fundit, Modi ishte gjithashtu një nga liderët e parë botërorë që uroi Biden për fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2020.
Nën Biden, lidhjet midis SHBA-së dhe Indisë u thelluan në aspektin e mbrojtjes, teknologjisë dhe ekonomisë. Biden e bëri Indinë një partner të madh të mbrojtjes, pavarësisht se India nuk ishte një aleat zyrtar ushtarak.
Koreja e Jugut është një aleat kyç i SHBA-së në Indo-Paqësorin. Ndërsa presidenti i vendit, Yoon Suk Yeol, nuk ka mbështetur në mënyrë eksplicite një kandidat, marrëdhënia midis Koresë së Jugut dhe SHBA-së ka lulëzuar nën Biden.
Komenti i botuar në shtator nga grupi studimor amerikan Brookings tha se gjatë administratës Trump, "koreanët e Jugut ishin të tronditur nga akuzat se ata nuk po kontribuonin mjaftueshëm në mbrojtjen e tyre dhe në mirëmbajtjen e forcave amerikane, pavarësisht se siguruan pjesën më të madhe të forcave luftarake të vijës së parë kundër Koreja e Veriut.”
Për aleatin e SHBA-së, Japoninë, një fitore e Trump mund të nënkuptojë se ai do të zhvendosë fokusin në politikën e brendshme dhe do të reduktojë bashkëpunimin me Japoninë, do të rrisë tarifat, si dhe do të presë që Japonia të rrisë shpenzimet ushtarake, thotë analiza e publikuar nga faqja japoneze Nippon Communications Foundation.
Megjithatë, zyrtarët e qeverisë japoneze kanë krijuar marrëdhënie me zyrtarë nga administrata e fundit Trump, duke përfshirë Bill Hagerty, i cili është një ish-ambasador në Tokio dhe shihet si i preferuari për sekretar të shtetit, thotë analiza e Kotani Tetsuo.
Nga ana tjetër, ndërsa një administratë e Harris do të nënkuptonte një politikë më të qëndrueshme me administratën e Bidenit, do të duhej të krijoheshin marrëdhënie të reja me zyrtarët në ekipin e Harris.
Për aleatin e SHBA-së, Australinë, "një fitore e Trumpit do të ngrinte shumë pyetje", shkroi Ben Doherty, një reporter nga Australia për The Guardian. Doherty shtoi se shumë në Australi besojnë se Trump ka të ngjarë të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit nëse ai rizgjedhet, gjë që mund të dobësojë ndikimin e koalicionit informal të klimës, Grupi Umbrella, pjesë e të cilit është Australia.
Australia gjithashtu ndan një marrëdhënie tregtare me Kinën dhe një fitore e Trump mund të nënkuptojë luftë tregtare me Kinën, e cila mund të jetë e dëmshme për ekonominë e Australisë. /// Sarah Shamim, Al Jazeera