
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka zhvilluar disa bisedime të rëndësishme me disa prej liderëve botërorë në ambientet e Bazilikës së Shën Pjetrit gjatë ceremonisë mortore të Papa Françeskut.
Zelensky është fotografuar teksa bisedonte kokë më kokë me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ndërsa fotografi të tjera kanë qarkulluar teksa Zelensky është takuar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, dhe Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Këto bisedime lidhen hapur me marrëdhëniet e Ukrianës dhe Rusisë në tensionin e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës disa vjeçare.
“Në të vërtetë patëm një takim produktiv. Nuk dua të hyj në shumë detaje sepse bëhet fjalë për çështje shumë të ndjeshme, që lidhen tërësisht me mënyrën se si të afrohet paqja”, tha Zelensky për gazetarët.
Ai shtoi se diskutimet përfshinë edhe zhvillimet më të fundit në kuadër të negociatave ndërmjet përfaqësuesve evropianë dhe ukrainas, të mbajtura në Paris dhe Londër.
“Ne duam të vazhdojmë takime të tilla për të sjellë paqen në Ukrainë,” përfundoi Zelensky.