
Emmanuel Macron ka pritur këtë mbrëmje në një takim në Paris homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky. Macron tha në një konferencë për shtyp pas takimit se Rusia po e riinterpreton atë që u ra dakord në bisedimet e armëpushimit. Ai gjithashtu tha se Franca do të sigurojë një mbështetje ushtarake shtesë prej 2 miliardë dollarësh për Ukrainën.
“Unë vërej se sot Rusia është gjithmonë e tunduar të riinterpretojë atë që ne diskutojmë dhe biem dakord. Ndërsa thotë se dëshiron paqe, Rusia vazhdon të godasë intensivisht territorin ukrainas, duke përfshirë objektivat civilë. Ne i dënojmë këto sulme."-tha Macron.
Presidenti ukrainas ka mbërritur në Paris për një takim me homologun e tij francez. Dy presidentët do të diskutojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën përpara një samiti të “koalicionit të vullnetit” nesër.
Nisma u prezantua për herë të parë nga kryeministri britanik Keir Starmer gjatë një samiti të 2 marsit në Londër, ku liderët evropianë dhe të tjerë diskutuan mbështetjen për Kievin.
Mbi 30 vende kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në forcën paqeruajtëse të koalicionit, tha zëdhënësi i Starmer më 17 mars, duke konfirmuar se nisma ka hyrë në një “fazë operacionale”.